Miftaraj: Injorimi i Ambasadës Britanike, cenon procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit

Miftaraj: Injorimi i Ambasadës Britanike, cenon procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit

Ambasada e Britanisë së Madhe sot doli e befasuar dhe reagoi ashpër pas vendimit të marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me hapjen e  konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Britanikët e vlerësuan si diçka jotransparente dhe jo fer ndaj tyre…

Lidhur me këtë, Periskopi ka marrë opinionin e njohësit të çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj, i cili vlerëson se një veprim i tillë i Këshillit Prokurorial të Kosovës cenon integritetin dhe kredibilitetin e proceseve të tilla.

‘’ Një qasje e tillë e KPK pa dyshim se cenon integritetin dhe kredibilitetin e këtij procesi, sikurse humb besimin e publikut në vullnetin e KPK’së për të zhvilluar një proces transparent, të pavarur dhe të paanshëm’’, ka thënë Miftaraj për Periskopin.

Tutje ai ka treguar se si partnerët ndërkombëtarë edhe më herët ishin tërhequr nga monitorimi i një procesi, po për shkak të jotransparencës.

‘Partnerët ndërkombëtarë nuk kishin pranuar të jenë pjesë e monitorimit të procesit të emërimit të shtatë antërëve të rinj të KPK në fillim të vitit 2021, mbi dyshimet e një procesi jo transparent. Kjo pastaj ishte reflektuar edhe në raportin e progresit për vitin 2021 por edhe në opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me projekt ligjin per KPK. Kjo qasje e KPK është vazhdimësi e politikave të mbrapshta që është duke zbatuar që nga viti 2015 e kendej’’, shtoi Miftaraj për Periskopin.

Periskopi pas reagimit shumë serioz të Ambasadës britanike, kontaktoi edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës të cilët than se janë duke e shqyrtuar krikën dhe do të dalin me një qëndrim gjatë ditës.

Ndërkaq, në komunikatën e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë ndër të tjerash u tha se KPK-ja e ka humbur një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë.

“Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”./PERISKOPI/

Shpërndaje në: