Miftaraj: Ministria dhe Këshilli Prokurorial po veprojnë gabimisht

Miftaraj: Ministria dhe Këshilli Prokurorial po veprojnë gabimisht

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se si Ministria e Drejtësisë ashtu edhe Këshilli Prokurorial janë duke vepruar gabimisht me qasjet e tyre.

Miftaraj thotë se pushteti nuk ka të drejtë t’i kritikojë publikisht institucionet e drejtësisë, ndërsa Këshilli Prokurorial nuk duhet të luajë rolin e inatçorit. Ai shtoi se, megjithatë, nuk ka nevojë për distancim të Qeverisë apo Ministrisë për deklaratën e zëvendësministrit Blerim Sallahut.

“Fatkeqësisht kemi dy anë të medaljes, ku të dy anët po veprojnë gabim. MD-ja duhet ta kuptojë që në bazë të Kushtetutës, në bazë të ligjeve, ministri, zëvendësministri duhet të distancohen nga deklaratat ndaj sistemit gjyqësor apo këshillit prokurorial. Ne e kuptojmë që sistemi prokurorial ka probleme sistematike që kërkojnë intervenime të shpejta. IKD-ja ka zbuluar skandale e skandale në sektorin e drejtësisë, por shoqëria civile e ka mision ta kritikojë si pushtetin ashtu institucionet tjera. Pushteti ekzekutiv apo legjislativ nuk ka të drejtë t’i kritikojë publikisht institucionet e drejtësisë. Këtë nuk e ka sjellë IKD-ja, por këto janë praktika ndërkombëtare që Kosova i ka marrë përsipër. Këshilli Prokurorial nuk ka të drejtë të luajë rolin e inatçorit, që të pret distancim nga Qeveria apo Ministria. Megjithatë, nuk ka nevojë për distancim për këtë deklaratë nga Qeveria apo Ministria sepse pavarësinë e Këshillit Prokurorial nuk mund ta ruajnë as ministrja, as zëvendësministri”, deklaroi Miftaraj në “DESKU” të KTV-së.

Shpërndaje në: