‘Milaim Zeka ta sjell në LDK votën për rrëzimin e Qeverisë, Haradinaj përgjegjësi kryesor pse s’kemi viza’

‘Milaim Zeka ta sjell në LDK votën për rrëzimin e Qeverisë, Haradinaj përgjegjësi kryesor pse s’kemi viza’

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë të shkurtër për Periskopin ka refuzuar t’u përgjigjet akuzave të deputetit Milaim Zeka, meqë ky i fundit e cilësoi atë si nga ‘njerëzit më përgjegjës për situatën kaotike në Kosovë’. Hoti tha se s’ka çka të thotë për deputetin Zeka, derisa i bëri thirrje atij që të shkojë në zyrat e LDK’së në Kuvend dhe ta jap nënshkrimin e tij në mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Në këtë intervistë, Hoti thotë se deri më tani i kanë rikonfirmuar 28 nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë, dhe se shpreson që së shpejti do ta finalizojnë këtë çështje.

Shkurtimisht, ai komentoi edhe deklaratën e Këshillit të Ministrave për çështjen e vizave dhe taksës. Ai e cilësoi kryeministrin Haradinaj si fajtorin kryesor për izolimin e qytetarëve.

Lexojeni të plotë intervistën e shkurtër me Hotin:

Periskopi: Zotëri Hoti, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në një intervistë dhënë për media sot, u ka cilësuar juve si një prej përgjegjësve kryesor për situatën kaotike në të cilën po ndodhet aktualisht Kosova. Si e komentoni këtë deklaratë të tij?

Avdullah Hoti: Nuk kam koment për deklarata të tilla. Nuk dua t’i komentoj ato.

Periskopi: Cila është arsyeje e moskomentimin. Ai po u akuzon direkt si një nga përgjegjësit kryesor për këtë situatë?

Avdullah Hoti: Nuk ka koment. Unë u kam bërë ftesë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Të gjithë ata që nuk pajtohen me këtë qeverisje, le të sjellin nënshkrimet në zyrat e grupit parlamentar të LDK’së, në atë moment që i bëjmë 61 nënshkrime ne do të procedojmë.

Periskopi: Zotëri Zeka edhe publikisht e bëri të ditur se do ta jap votën e tij për rrëzimin e Qeverisë. Nuk e ka më kusht që të bëhen 60 vota, që ai ta jap votën e tij?

Avdullah Hoti: Edhe ai është i mirëseardhur, le ta nënshkruajë një listë për mocionin e rrëzimit të Qeverisë dhe le ta sjell në zyrat e LDK’së?

Periskopi: Zotëri Hoti, si po ecën çështja e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. A jeni duke lobuar edhe për sigurimin e votave tjera të deputetëve që munden me qenë të pakënaqur me Qeverinë e Haradinaj?

Avdullah Hoti: 58 nënshkrime i kemi. I kemi rikonfirmuar edhe njëherë, e kemi dakorduar edhe tekstin e mocionit dhe i kemi bërë ftesë të gjithë deputetëve që nuk pajtohen me këtë formë të qeverisjes që të sjellin nënshkrimet?

Periskopi: Kur mund të arrihen 61 vota?

Avdullah Hoti: Ta shohim. Nuk mund të jap afat kohor. Ajo që është e qartë është se kjo Qeveri praktikisht është jofunksionale. Kuvendi është jo funksional. Kryetari i Kuvendit sot na ftoi në takim konsultativ kryetarët e grupeve parlamentare se si mund të mbahet mbledhja e Kuvendit. Unë ia bëra të qartë që ky koalicion është duke qëndruar në pushtet në mënyrë jodemokratike, jolegjitime sepse nuk ka shumicë parlamentare, por këta po insistojnë?

Periskopi: Zotëri Hoti, a mundet me u fajësua qeveria aktuale lidhur me komentet e Këshillit të Ministrave të BE’së për vizat dhe taksën. Kërkohet heqja e taksës?

Avdullah Hoti: Nuk i di detajet e deklaratës së Këshillit të Ministrave, por ajo që është e qartë, e për çka duhet të marrë përgjegjësi kryeministri i vendit është pengesat që i ka bërë prej vitit 2016, që sot do kishim këtë çështje të kryer, lëvizjen e lirë të qytetarëve. Veprimet e tij dhe opozitës së atëhershme, të dhunshme, e kanë sjell vendin në këtë gjendje të izolimit.

Periskopi: A e konsideron LDK’ja edhe vetën fajtore për këtë situatë, si parti që ka qeverisur për disa vite?

Avdullah Hoti: Asnjëherë. Të gjitha kriteret që kanë qenë të paraparë për liberalizim i kemi plotësuar, përveç marrëveshjes së demarkacionit, të cilën veprimet e dhunshme të kryeministrit të sotëm nuk kanë lejuar që ajo të kaloi./PERISKOPI

Shpërndaje në: