Mimoza Kusari dhe Vlora Çitaku meritojnë vëmendjen e javës që po kryhet

Mimoza Kusari dhe Vlora Çitaku meritojnë vëmendjen e javës që po kryhet

Java që po lëmë pas, na shkoi me indinjatën, me nervozën e madhe: me shoqërinë, familjen, shtetin tonë. Ndërgjegjja jonë zgjohet kur merr goditje të forta si rasti në Drenas. Pastaj flenë deri në goditjen e radhës. Të premten në Drenas po mbahej një protestë masive, paralel me të, në Kuvendin e Kosovës po zhvillohej debati për të njëjtin rast. Fjalimet e deputetëve në seancën e jashtëzakonshme ishin të rëndomta, të rëndomta si në seanca tjera të zakonshme. E dënuan krimin, natyrisht, si secili prej nesh, por dallimi prej deputetëve dhe neve (jo deputetëve) është se ata mund të bëjnë diçka përtej aktit të dënimit të krimit, që e bëjmë edhe ne. Fjalimet ishin përmbledhje ngjarjesh të tmerrshme që kanë ndodhur nëpër Kosovë, përveç njërit:

Mimoza Kusari – Lila

E kam dëgjuar, të paktën tri herë, sot, këtë fjalim. Ishte një nga fjalimet, që meriton vëmendje. Fjalimi i Kusari – Lilës, ishte një nga fjalimet e rralla që e kam dëgjuar të plotë në Kuvendin e Kosovës. Në fjalimin e saj, për 10 minuta, u thanë të gjitha ato që ne dëshirojmë t’i themi për rastin në Drenas. Fjalimi i Kusari –Lilës, mund të dëgjohet në faqen e saj në Facebook, mund të gjendet nëpër mediume të ndryshme (për ata që s’e kanë dëgjuar). Me pak fjalë, fjalimi i saj, ishte i përqendruar në kërkim të drejtësisë, nga kokat, hierarkia e Policisë. Kërkesa më interesante  dhe para se gjithash e duhur, që del nga fjalimi i Kusari-Lilës, është që vajza nga Drenasi duhet të trajtohet jashtë vendit.

Unë (autorja e këtij shkrimi) jam nga Drenasi. Nga komentimet që kam dëgjuar nga njerëzit deri tash, që janë nga ai vend, janë edhe të atilla që mundohen t’ia lënë një farë faji vajzës. Unë, nuk po mundem ta bind askënd, që edhe po të jesh, ajo fjala që të cilësojnë kështu “kurvë”, askush s’ka të drejtë të të përdhunojë. Me një fjalë: një vajze të re, që ka qëlluar të jetë nga Drenasi, i është shkatërruar jeta. Pak për fajin tonë, e krejt për fajin e shtetit, që të përdhunon dhe ta mshefë. Qysh mund të jetë ndryshe, përveç kësaj, kur nëse e lexoni aktvendimin e publikuar në media, në kohën kur ishte vendosur që të pushohen hetimet ndaj profesorit në Drenas, të vjen të qash me zë. Përveç gabimeve drejtshkrimore (që është qesharake ndoshta të përmenden) ajo është një copë letër që kurrë s’do të duhej të arkivohej në një institucion të drejtësisë. Pa marrë kurrgjë vesh nga fusha ligjore, aty të vjen në mendje pyetja: si kanë mundur të pushojnë hetimet nga pyetjet e atilla të Prokurorisë dhe përgjigjet e atilla të vajzës. Ai dokument, edhe për mua, si analfabete në fushën juridike, do të ishte një nismë për hetim të mëtutjeshëm, e jo për pushim të hetimeve.

E duke qenë se nga një vendim i tillë, nga një heshtje e tillë ku dorë – fillimisht- ka një institucion shtetëror, një vajze të re i është shkatërruar jeta, kërkesa në fjalimin e deputetes Kusari – Lila, ishte më i duhuri: vajza nga Drenasi duhet të trajtohet jashtë Drenasit.

Në ditët e javës, ku nuk kaloi asnjëra prej tyre, pa e zënë llafin e ngjarjes së rëndë në Drenas, edhe me shoqëri nëpër kafene, edhe me familje, e gjithandej, ishte edhe një moment që na dha pak shpresë dhe na e hoqi vëmendjen pak nga ngjarja e tmerrshme:

Vlora Çitaku

Vlora Çitaku e ka një farë fati. Zakonisht, seancat e KS të OKB’së thirren kur shoqëria jonë ka rënë për toke. Zakonisht na ndodhin këso ngjarjesh të tmerrshme (si ai në Drenas) dhe hop, një mbledhje e KS të OKB’së. Vlora Çitaku, me fjalimet e saj në OKB, është përkujdesur që kur ne indinjohemi këtu me njëri-tjetrin, hedhim faje sërish të kthehemi ta përqafojmë njëri – tjetrin. Se këqyre -thonë – Vlora na e zbardhi fytyrën (fytyrën tonë, rrjedhimisht të nxirë nga diçka). Fjalimet e saj në KS të OKB’së, janë fjalimet e para që marrin vëmendjen e shoqërisë në përmasën qysh e marrin. Kjo vërehet, madje edhe tek ne, mediat, që e masim lexueshmërinë e lajmeve në kohë reale. Dhe fjalimet e Çitakut në OKB, zakonisht mbledhin shumë lexues.

Edhe përmbajtja e fjalimit të fundit të Çitakut, mund të gjendet gjithandej. Goditja më e mirë sipas meje, ishte pyetja se pse Këshilli i Sigurimit mban më shpesh seanca për Kosovën se sa për Sirinë.

Ne, mund të mos jemi pajtuar shpesh me të dyja (Çitakun dhe Kusarin) në veprimtarinë e tyre politike, mund të mos pajtohemi edhe sot edhe kurdo, por ama, në këtë zallamahi sistemi se ‘rasti do të zgjidhet shpejt’, ‘mos folni shumë’, ‘mos e bëni të madhe shumë’, ‘fol si burrat’, ‘mos u bon si gru’, etj., janë dy emra që merituan vëmendje: Kusari dhe Çitaku.

 

Shpërndaje në: