Mimoza Kusari: Vendimi i Kushtetueses tradhëti e re, ata që mendojnë se fituan e kanë jetëshkurtër fitoren

Mimoza Kusari: Vendimi i Kushtetueses tradhëti e re, ata që mendojnë se fituan e kanë jetëshkurtër fitoren

Deputetja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se shpallja kushtetuese e dekretit të Thaçit për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër, është tradhti e re për demokracinë kosovare.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se Gjykata Kushtetuese “legjitimoi tregtimin e votës së lirë dhe besimit të qytetarëve”.

“Mbrëmë u tradhtua demokracia Kosovare, edhe një herë! Në mes të luftës me pandeminë globale, partitë politike parlamentare në Kosovë tradhtuan besimin e qytetarëve dhe rrëzuan Qeverinë e Kosovës me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit. Besimi i qytetarëve për një Qeveri ndryshe, për qeveri të shpresës, u tregtua përmes negociatave politike për poste e pushtet për ata që nuk e fituan këtë besim përmes procesit zgjedhor. Ky tregtim i votës së lirë dhe besimit të qytetarëve i sponzorizuar dhe administruar nga Presidenti i vendit, mbrëmë u legjitimua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, “ana e errët e këtij procesi është lehtësia e manipulimit të zinxhirit institucional për skenarë të dëmshëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit”.

Ajo ka thënë se ana e ndritshme e procesit është identifikimi i “akterëve që lehtësisht bëhen marioneta të manipulimit, duke harruar peshën e përgjegjësisë dhe historisë që do ta mbajnë përgjithmonë si njollë në karrirën e tyre politike dhe profesionale”.

“Kosova është vend i lirë. Qytetarët e saj janë të lirë dhe me mendim të qartë se si e duan jetën dhe shtetin e tyre. Këtyre të cilëve sot mund të ju duket se kanë fituar, shumë jetëshkurtër e kanë këtë fitore, por turpin dhe tradhtinë e besimit të qytetarëve e kanë të garantuar dhe të përjetshëm”, ka përfunduar ajo.

 

Shpërndaje në: