Minatorët e Marecit nuk punojnë, s’e duan drejtorin e ri

Minatorët e Marecit nuk punojnë, s’e duan drejtorin e ri

Minatorët e Artanës tash e një javë nuk po punojnë në minierën e Marecit.

Ata po mbajnë grevë duke kundërshtuar ushtruesin e detyrës së drejtorit, Basri Kokolli, i caktuar nga bordi i drejtorëve.

Sipas grevistëve Kokolli nuk e meriton këtë pozitë meqë në pozitat e më hershme udhëheqëse më shumë ka anuar kah drejtorët sesa nga punëtorët.

Por Basri Kokolli i mohon kritikat. Kokolli thotë se tash e 37 vite punon në minierë, është master i xehetarisë, ka përvojë pune të kërkuar por problemi sipas tij qëndron te punëtorët të cilëve ky nuk ju përshtatet, meqë ata mungojnë e nuk janë të përgjegjshëm në punë, për çka ky edhe i ka gjobitur e do ta bëjë tutje.

Kryesuesi i bordit të drejtorëve, Basri Hasani, i tha Klan Kosovës se punëtorët mund të suspendohen nga e mërkura nëse vazhdojnë ta bojkotojnë punën, meqë ata nuk e përzgjedhin drejtorin por këtë gjë e bënë bordi dhe i caktuari aktual si ushtrues detyre, është meritor për pozitën.

Miniera e Artanës (ish-Novobërda), është më e pasura sa i përket arit. Llogaritet se në këtë minierë ka resurse të arit deri në 2 mijë e 700 kilogramë.

“Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Artanës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë. Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg”, thuhet në Strategjinë minerare të Kosovës.

Shpërndaje në: