Minatorët ndërpresin grevën pas takimit me Llukën

Minatorët ndërpresin grevën pas takimit me Llukën

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se pas takimeve me Këshillin Grevistë të Minatorëve, Sindikatën e Trepçës dhe Bordin e kësaj ndërmarrje, sot u dakorduan që të vazhdoj puna në miniera.

Trepça, thotë tutje Lluka, do të bëhet një ndër ndërmarrjet kryesore në vend dhe kjo do të shihet këtë vit.

Lluka gjithashtu ka thënë se sot ka dërguar kërkesë për auditim të detajuar të kësaj ndërmarrje tek Auditori i Përgjithshëm, në mënyrë që të ketë një pasqyrë të qartë të kësaj ndërmarrje.

Lexoni të plotë shkrimit e Llukës të postuar në Facebook:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar minatorë,

Sot u dëshmua që dialogu social është forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve me ndërmarrjet publike. Pas shumë takimeve me Këshillin Grevistë të Minatorëve, Sindikatën e Trepçës dhe Bordin e kësaj ndërmarrje, sot u dakorduam që të vazhdoj puna në miniera, për çka e falënderoj përzemërsisht Kryetarin e Këshillit Grevist, Ferid Neziri dhe atë të Sindikatës, Shyqyri Sadiku, së bashku me kolegët e tyre të cilët kuptuan shumë qartë situatën e rëndë aktuale në Trepçë, që ka ardhë kryesisht për shkak të menaxhimeve të dobëta ndër vite.

• Trepça do të bëhet një ndër ndërmarrjet kryesore në vend dhe kjo do të shihet këtë vit.

• Minatorët do të kenë benefitet që i takojnë dhe që janë kërkuar për shumë vite, të cilat do të trajtohen me ligjin për minatorët. Ndër to, pensionimin e hershëm dhe sigurimin shëndetësorë për shkak të kushteve të vështira që punojnë.

• Minatorët e Artanës dhe të Kishnices do të shohin nivelizim të pagave, me ata të Stan Tërgut, duke filluar nga ky muaj.

• Do të ketë mbikëqyrje më të afërt nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Bordi karshi menaxhmentit rreth menaxhimit të kësaj ndërmarrje.

• Menaxhmenti do të ulë shpenzimet e panevojshme dhe do t’i reflektoj këto kursime në rritje të mirëqenies së minatorëve.

• Rritja e performances në Trepçë do të rezultoj me rritje të pagave për minatorët.

Gjithashtu, sot kam dërguar kërkesë për auditim të detajuar të kësaj ndërmarrje tek Auditori i Përgjithshëm, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të kësaj ndërmarrje.

Ne do të bëjmë përpjekje që në muajin Shkurt të këtij viti, të regjistrohet Trepça si shoqëri aksionare dhe të shpallen pozitat menaxheriale kryesore.

Trepça do të ringjallet dhe nuk ka alternativë tjetër!

Shpërndaje në: