Mini-Shengeni erdhi nga ndikimi rus

Rinor A. Rexhepi Letra

Dështimi i Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë per t’u përafruar me BE-në çoi në një kundërpërgjigje të këtyre vendeve ballkanike, kinse për të krijuar një marrëveshje të quajtur: Mini-Schengen. Me këtë marrëveshje do të garantohej lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave.  Duke e parë insistimin e Serbisë, besoj shumë që në këtë ide ka gisht, Rusia.

Shtrohet pyetja, si ka mundësi që Rusia të ketë ndikim në këtë projekt?

Propaganda dhe ndikimi rus janë aq të mëdha saqë ndikuan në zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe tani ka zëra që kanë ndikuar në BREXIT (Përpjekjen e Britanisë së Madhe të del nga BE-ja).

Kur Rusia ka pasur qasje në informata dhe hapësirë ndikimi në SHBA dhe Britani të Madhe që kanë shërbimet sekrete më të mira dhe profesionale për t’i ndaluar ndikimet e jashtme, çfarë e ndalon Rusinë të ndikoj dhe të shkaktojë trazira në Ballkan duke e penguar atë të ecë para në integrimet euroatlantike?

Duke e pasur parasysh miqësinë e përjetshme të Rusisë me Serbinë, dhe të ashtuquajtërën “Qendren e emergjencave” në Nish (të cilën në fakt e ka ndërtuar Rusia kinse per të ndihmuar, por në fakt kjo qendër është qendër e spiunazhit përmes së cilës Rusia mundohet ta kontrollojë Ballkanin) dhe ta minimozojë ndikimin e SHBA-ve në Ballkan si dhe të shkaktojë trazira në këtë rajon.

Siç shihet ndikimi rus në këtë ide është shumë i mundur; gjë që duhet ta kenë parasysh edhe Shqipëria edhe Maqedonia si pjesë e kësaj marrëveshjeje sepse  mund të jenë të dëmtuara nga ky ndikim.

Nga ana tjetër, përjashtimi i Kosovës nga kjo marrëveshje që nga takimi i parë që është mbajtur e deri më tani është absurd, kur në hartën e këtij mini-Schengeni Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.

Është për t’u çuditur se si Edi Rama e injoron totalisht Kosovën në këtë proces, apo ndonjëherë mundohet edhe ta përfaqësojë Kosovën pa asnjë të drejtë.  Poashtu është tronditëse të mendohet se si Edi Rama, i ka vendosur Kosovës taksë rrugore prej 10 euro vajtje-ardhje dhe taksa për eksportin e produkteve  ushqimore, ku shpeshherë nuk i pranon patatet e Kosovës, kurse me Serbinë dhe Maqedoninë mundohet të arrijë marrëveshje për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave.

Edi Rama, Kosovën në aspektin e mirë e shfrytëzon vetëm kur po i bie popullariteti, dhe po e përmend bashkimin kombëtar me Kosovën për të fituar poena politikë. Por në realitet kur Edi Ramës po i kërkohet t’a mbrojë Kosovën, ai nuk po e bënë këtë, përkundrazi po përulet para kërkesave serbe.

Ajo çfarë është për t’u admiruar është se liderēt kosovarë kanë qenë shumë të unifikuar në këtë proces, duke e përjashtuar pjesëmarrjen dhe kundërshtuar këtë proces.

Kosova nga aspekti i lirisë së lëvizjes së qytetarëve, me të tria vendet lëvizë me letërnjoftim,andaj e vetmja pikë ku Kosova do mund të përfitonte është në lëvizjen e lirë të mallrave. Mallrat e Kosovës do mund të ishin më prezente në këto tri vende pa barriera tarifore, duke përfshirë edhe Shqipërinë e cila me mospranimin e produkteve bujqësore dëmton bujqit e Kosovës.

Kur Kosova mund të ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje?

Kosova do mund të ishte pjesë e kësaj marrëveshje kur do i garantohej pjesëmarrje e barabartë si shtet në këtë tavolinë dhe do të përjashtohej çdo mundësi e ndikimit rus në këtë projekt. Ku për momentin këto dy kushte janë të pamundura,sepse Kosova jo vetëm që nuk thirret si shtet i barabartë, por edhe paraqitet në hartat e Serbisë si pjesë territoriale e saj.

Andaj refuzimi i Kosovës për të qenë pjesë e kësaj marrëveshje e vështirëson qarkullimin në mes të Shqipërisë dhe Serbisë. Mungesa e Kosovës do e vështirësonte rrugëtimin e Serbisë për në Shqipëri, për shkak të mos mundësisë së shfrytëzimit të autostradës ‘Rruga e Kombit’.

Rrjedhimisht per lëvizje të lirë në mënyrë të plotë, Serbia do të duhej të shfrytëzonte rrugë alternative nëpër Maqedoni, për të dalë në Shqipëri apo rrugë ajrore.

Me këto parakushte: ndikimin rus dhe injorimin total të Kosovës; ideja e miniSchengenit nuk do mund të realizohej, por edhe nëse realizohet do të ishte afat-shkurte, dhe do mungonin rezultatet, ku nga kjo marrëveshje më së shumti do përfitonin qëllimet e  Rusisë; për të qenë prezente dhe pasur ndikim në Ballkanin Perëndimor.

Rusisë i konvenon më së shumti një bashkim i këtyre shteteve.

Sepse qëlimet e Rusisë në këtë grupim shtetesh do impementoheshin përmes Serbisë.

Shpërndaje në: