Ministrat teknikë të PD-së, zbulohen emrat e propozuar
Opozita e kryesuar nga Lulzim Basha pritet t’i dërgojë kryeministrit Rama propozimet e saj për qeverinë teknike, konkretisht emrin e zv/kryeministrit, 6 ministrave teknikë dhe krerët e drejtorive për të cilët janë pjesë e marrëveshjes politike të firmosur nga të dyja palët. Nëse kryeministri Rama do të bjerë dakord me këto propozime, atëherë lista me emrin e zv/kryeministrit, ministrave teknikë dhe krerëve të drejtorive do t’i dërgohet për dekretim Presidentit të Republikës.
Pas dekretimit nga kreu i shtetit, emrat e propozuar do të shkojnë për votim në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të votohen edhe komisionet e vetingut sipas dakordësisë mes dy palëve. Dita kur do të zhvillohet kjo seancë nuk është vendosur ende, por me shumë gjasë kjo seancë do të zhvillohet të hënën e javës që vjen. Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës kanë qarkulluar edhe emrat e parë të teknicienëve që do jenë pjesë e qeverisë teknike.
Burime për ‘GSH’ bëjnë me dije se në krye të Ministrisë së Arsimit është propozuar Ardian Marashi, ishdrejtor i QSA-së. Por për pasa-rdhësin e Lindita Nikollës përflitet edhe emri i akademikut Artan Fuga. Në Ministrinë e Shëndetësisë, PD ka propozuar emrin e ish-zv.drejtorit të ISKSH-së dhe student i rrjetit “Lead Albania”, Qamil Dika, i cili do të zëvendësojë Ogerta Manastirliun.
Si ministër i Brendshëm në vend të Fatmir Xhafajt, pritet të propozohet Fatmir Hamuli ose Ivzi Biçaku. Në Ministrinë e Drejtësisë qarkullon emri i Besnik Kastratit në vend të kryetarit të LSI, Petrit Vasili. Mbetet për t’u caktuar kandidati për ministër të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe ai për postin e zv.kryeministrit. Sipas marrëveshjes Rama-Basha, ikin 6 ministra aktualë, vijnë 6 ministra teknikë si dhe 5 drejtorë.



