Ministre Haxhiu: Dhuna seksuale në Kosovë mbetet një problem shumë i madh

Ministre Haxhiu: Dhuna seksuale në Kosovë mbetet një problem shumë i madh

Ministrja Haxhiu sot mori pjesë në lansimin e raportit të monitorimit ‘Vlerësimi i Trajtimit të Rasteve të Dhunimit nga Sistemi i Drejtësisë në Kosovë’ punuar dhe prezantuar nga Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu theksoi se dhuna seksuale në Kosovë fatkeqësisht vazhdon të mbetet një problem shumë i madh për shoqërinë tonë dhe rrjedhimisht shqetësim i vazhdueshëm për institucionet tona.

Ajo shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e legjislacionit aktual dhe përgjigjes institucionale ndaj rasteve të dhunës seksuale.

Ministrja e Drejtësisë informoi të​ pranishmit se Ministria e Drejtësisë​ tashmë ka filluar hartimin e Protokollit Shtetëror për Dhunën Seksuale, qëllimit i të cilit është sigurimi i një tërësie procedurash standarde për veprime të koordinuara institucionale ndaj viktimave të dhunës seksuale, mbrojtja e të drejtave të tyre, forcimi dhe qartësimi i mëtejmë i roleve dhe përgjegjësive të institucioneve përgjegjëse, duke rritur llogaridhënien dhe besueshmërinë ndaj institucioneve.

Ministrja Haxhiu theksoi se nëpërmjet hartimit të këtij Protokolli, Ministria e Drejtësisë do të përkushtohet në krijimin e një data baze të dhënash për rastet e dhunës seksuale, si dhe krijimin e një sistemi raportimi gjithëpërfshirëse dhe të integruar mes institucioneve të sigurisë dhe  të drejtësisë.

Në fund, ministrja Haxhiu falënderoj të gjithëve akterët për mbështetjen në iniciativat e Ministrisë së Drejtësisë si dhe në monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes në Kosovë lidhur me dhunën seksuale dhe punën e tyre që kjo gjendje të përmirësohet.

Shpërndaje në: