Ministri i Drejtësisë së Danimarkës: Marrëveshja për burgjet mes Kosovës dhe Danimarkës është vonuar

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës: Marrëveshja për burgjet mes Kosovës dhe Danimarkës është vonuar

Marrëveshja për burgjet mes Kosovës dhe Danimarkës ndoshta do të realizohet. Kështu bëri të ditur Ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Mattias Tesfaye.

Ai deklaroi se implementimi i kësaj marrëveshje do të vonohet, pasi nuk mund të përfundojnë rindërtimin e burgut me ritmet që kishin shpresuar, sepse siç tha, duhet të jetë në përputhje me standardet daneze.

Veç kësaj, ministri Tesfaye përmendi edhe pengesat në sistemin politik në Kosovë dhe mosratifikimin e marrëveshjes nga deputetët.

“Marrëveshja ende nuk është ratifikuar ligjërisht në Kosovë. Këtë e kemi ditur për një kohë dhe për këtë kam njoftuar edhe Këshillin e pajtimit. Ne jemi plotësisht të varur nga bashkëpunimi që kemi me Qeverinë e Kosovës. Nuk mjafton që ne e kemi vendosur këtë. Kështu është të hysh në marrëveshje me vendet e tjera”, u shpreh ai.

Mes tjerash ministri danez tha se ka qenë në kontakt edhe me homologen e tij në Kosovë, Albulena Haxhiu, derisa shtoi “kam përshtypjen se çdo gjë duhet të shkojë mirë”.

“Deri më tani, synimi ka qenë që vendet të hapen në fillim të vitit 2023. Tani pritet të jetë në fund të këtij viti”, përfundoi Tesfaye.

Kosova dhe Danimarka më 20 dhjetor 2021 kanë nënshkruar një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

E pas kësaj në prill të këtij viti, ministrja Haxhiu dhe homologu i saj nga Danimarka, Nick Haekkerup, nënshkruan Traktatin i cili i hap rrugë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, përkrahjen e projekteve për energji të gjelbër dhe promovimin e sundimit të ligjit.

Për këtë huazim, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.

Një ditë më parë, mediat në Danimarkë raportuan se shteti danez ka pezulluar marrëveshjen e nënshkruar me Kosovën, për marrjen me qira të 300 qelive në burgun e Gjilanit për shkak të mungesës së financimit.

Shpërndaje në: