Ministri Murati si Nisma e Fatmir Limajt dikur: Synojmë të punësojmë nga një anëtar për familje

Periskopi.com Lajme

Gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetëi dhe Mirëqenie Sociale, ministri Hekuran Murati deklaroi se synojnë punësimin e nga një anëtari për çdo familje. Një premtim të tillë, e patëm dëgjuar nga Fatmir Limaj dhe partia e tij Nisma gjatë një fushate elektorale dikur, por shpresojmë që premtimi i ministrit të nis të bëhet realitet, duke qenë se kjo do të kontribuonte në mirëqenien ekonomike të shoqërisë tonë. Ideja është që të punësojmë një anëtar të familjes, tha Murati në Komision…

***

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka prezantuar masat e veçanta dhe aktivitetet e Ministrisë në fushën e mirëqenies sociale.

Aty tha se si Qeveri janë munduar të ndërmarrin masa të nevojshme që të adresojmë mbështetjen ndaj qytetarëve.

Ai përmendi edhe mbështetjen për familjet që kanë humbur anëtar nga Covid-19, skemat sociale dhe për pensionistët si dhe mbështetjen për gratë lehona dhe fëmijët.

“Kemi pasur një sërë masash tek mbështetja për familjet që kanë humbur familjarë nga Covid-19 me nga 1500 euro, me ç’rast kanë marrë këto mjete secila familje. Jemi mundur të përkujdesemi për ato familje që kanë humbur një anëtar të familjes. Kemi pasur mbështetjen edhe për skema sociale si dhe mbështetja për pensionistë. Për këto kategori kemi pasur rritje 30 për qind për skema sociale. Tek pensioniste kemi bërë rritjen 11% për rritje bazike. Kemi shpërndarë kuponë ushqimor për mbi 10 mijë familje ku kanë përfituar nga 60 euro. Janë shpërnda 300 mijë shujta”

Tutje tha se 17.000 lehona në Kosovë kanë përfituar deri tani nga 170 euro në muaj në kuadër të shtesave për këtë kategori.

Murati ka thënë se janë saktësisht 16.700 gra lehona që kanë përfituar nga kjo skemë, e cila ka nisur së zbatuari nga gushti i vitit 2021.

Sipas skemës, lehonat e papuna përfitojnë nga 170 euro për gjashtë muaj radhazi pas lindjes, ndërkaq ato të punësuara përfitojnë nga 170 euro për tre muaj.

Murati po ashtu ka bërë të ditur se sa u përket shtesave për fëmijë, deri tani kanë përfituar 152.500 fëmijë. Fëmijët deri në 2 vjeç përfitojnë nga 20 euro në muaj, ndërkaq ata mbi 2 vjeç i përfitojnë nga 10 euro në muaj.

“Kemi pasur mbështetje edhe për lehonat, ku nga gushti kemi filluar me zbatimin e kësaj mase. Saktësisht 16.700 gra lehona që kanë përfituar nga kjo skemë, e cila ka nisur së zbatuari nga gushti i vitit 2021. E kemi parë të nevojshme të mbështesim edhe gratë e punësuara përveç lehonave që të marrin 6 muaj mbështetje”, tha Murati.

“Kemi pasur mbështetjen edhe për punëtorë dhe kanë qenë 300 mijë përfitues. Ideja është që të punësojmë një anëtar të familjes. Projektligji për pagën minimale parasheh heqjen e tatimit për pagën që e ka 250 euro. Secilit të punësuar ajo pjesa që është ndalë tatim i dalin shtesë për pagën. Kemi rritur subvencionet për 60 për qind për bujqit marrë parasysh edhe krizën e çmimeve”, tha Murati.