Ministria e Mbrojtjes së Kosovës: Lajmet e rreme në media serbe për të krijuar tensione

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës: Lajmet e rreme në media serbe për të krijuar tensione

Ministria e Mbrojtjes përmes një reagimi ka përgënjeshtruar lajmet që kanë qarkulluar në disa media serbe për gjoja lëvizjen e trupave të FSK-së në zonën e komunës së Zubin Potokut.

“Këto lajme të rrejshme i cilësojmë dezinformata të rrezikshme me qëllim të krijimit të klimës së tensioneve dhe tendencës për dëmtimin e imazhit Republikës së Kosovës dhe të FSK-së në aspektin ndërkombëtar, por realisht qytetarët tanë pa dallim etnie kuptojnë drejt rolin mbrojtës të FSK-së dhe padyshim është e qartë edhe hapësira gjeografike që Ushtria e Republikës së Kosovës bashkë me partnerët ndërkombëtarë mbulon, pra çdo cep të shtetit”, thuhet në reagimin e kësaj Ministrie.

Tutje aty thuhet se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, të gjitha aktivitetet stërvitore dhe operacionale, i realizojmë në bashkëpunim dhe bashkërendim me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, respektivisht KFOR-in në përputhje me mandatet e tyre kushtetuese dhe ligjore.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e vendit e posaçërisht qytetarët e pjesës veriore të vendit, që të mos bien pre e dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme të cilat lansohen me qëllime të errëta. Ministria e Mbrojtjes me FSK-në janë dhe do të jenë gjithmonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

Shpërndaje në: