Ministria e ndaloi shitjen e thëngjillit, qytetarët po e shesin përmes faqeve online

Ministria e ndaloi shitjen e thëngjillit, qytetarët po e shesin përmes faqeve online

Kosova, veçmas Prishtina me rrethinë, konsiderohet të jenë ndër vendet me ajrin më të pashëndetshëm në botë. Qytetarët çdo ditë janë të rrezikuar nga ndotja e ajrit, gjendje e cila po përcillet çdo vit, pavarësisht thirrjeve dhe alarmit që po bëhet.

E, ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit, deri më tani, janë identifikuar termocentralet, përdorimi i qymyrit për ngrohje nga amvisëritë dhe automjetet e vjetra.

Por edhe përkundër ndalesës që ishte bërë nga MMPH në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës për shitjen dhe përdorimin e qymyrit, kjo lëndë djegëse ende vazhdon të shitet në mënyrë ilegale.

Madje, shitja e qymyrit, po bëhet edhe përmes faqeve të ndryshme online, shkruan Indeksonline.

Shitësit vijnë kryesisht nga komuna e Obliqit, ku të njëjtit, shkruajnë se transportojnë dhe shesin me shumicë dhe pakicë qymyr të KEK-ut, e çmimi për një thes është 2 euro.

Kujtojmë që vitin e kaluar, ish ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kishte marrë vendim që t’u ndalet së dhuruari thëngjill rreth 5 mijë punëtorëve të KEK-ut, siç ishte vepruar çdo herë nga kjo korporatë si shenjë shpërblimi për punën e tyre gjatë gjithë vitit kalendarik.

Arsyetimi i vendimit ishte se nga 10 tonë për 5 mijë punëtorë ndikon negativisht në ajrin që thithet çdo ditë, pasi, sipas tij, thëngjilli i djegur në shtëpi, nuk është i trajtuar siç duhet dhe nuk përdorët asnjë filtër gjatë ngrohjes.

Sakaq, edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi të bërë në Facebook tregoi se cilat janë pesë pikat që do të ndërmiren pikërisht për nivelin e ndotjes së ajrit, kjo pas disa analizave që janë bërë.

E, si shkaktar kryesor, i pari e Prishtinës, e ka përmendur pikërisht përdorimin e qymyrit në lagjet e banimit individual në qytet, ku një pjesë të fajit ja ka lënë edhe KEDS-it.

“Qe disa vite, KEDS ka filluar të luftojë informalitetin, apo humbjet në rrjet duke pretenduar se ka pas lagje që kanë pas më shumë se 60 përqind humbje në rrjet. Sipas tyre, qytetarët kanë përdor rrymën për ngrohje për shkak se një pjesë e konsiderueshme nuk e kanë paguar. Me largimin e orëve nga shtëpitë, qytetarët janë detyruar të kalojnë në metoda alternative/më të lira të ngrohjes. Edhe cmimi i drunjve është rritur, ndërsa qymyri është shumë më i lirë krahasuar me metodat tjera”, ka shkruar Ahmeti.

Ndërsa në pikën numër 4, ai ka thënë se ndalimi i përdorimit të qymyrit për ngrohje s’mund të bëhet përmes inspektimit individual të shtëpive, por kjo mund të ndalet vetëm në burim nga niveli qendor – qeveria.

Ndryshe, Kosova është e para në Evropë për numrin e vdekjeve nga ajri i ndotur.

Në raportin “Cilësia e ajrit në Evropë – 2018”, të publikuar nga kjo agjenci, thuhet se nga ajri i ndotur në Kosovë kanë vdekur 3 mijë e 700 persona brenda një viti.

Shpërndaje në: