Ministria e pranon shkeljen, e kthen në rivlerësim tenderin e dostave të Hysen Durmishit: Janë bërë disa lëshime

Ministria e pranon shkeljen, e kthen në rivlerësim tenderin e dostave të Hysen Durmishit: Janë bërë disa lëshime

15 kontrata janë paraparë të realizohen për tenderin, “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale 2022 -2025“. Tashmë janë shpallur fituesit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu, shkruan Periskopi.

Zyra e prokurimit të MMPHI e ka pranuar se ka bërë shkelje ligjore kur i ka rekomanduar për kontratë kompanitë për disa lot (pjesë) të këtij tenderi. Këtë aprovim të shkeljes, ministria e ka bërë në kërkesën për rishqyrtim të kompanive ankuese.

Në garë për tender kanë qenë 28 subjekte (konzorciume dhe kompani të vetme). 15 nga to u rekomanduan për kontratë, disa konzorciume u rekomanduan edhe për nga dy kontrata. Duke mos u pajtuar më këtë vendim, një numër rekord prej 16 subjekte kanë parashtruar ankesë për rishqyrtim në ministri. Ministria u ka kthyer përgjigje negative 13 konzorciume të kompanive duke ua hedhur poshtë ankesat, ndërsa tri prej tyre ua ka miratuar ankesat.

Kësisoj, prokurimi mori vendim që pesë (5) pjesë të tenderit t’i kthejë në rivlerësime edhe njëherë, ngase e ka pranuar se ka bërë lëshime ligjore.

Ministria ka bërë ‘lëshime’ kur ka rekomanduar për kontratë edhe dostat e zëvendësministrit Hysen Durmishi të cilët u autorizuan për kontratën “Prishtina -3”, ku ishin kompanitë “Kosova Asfalt” shpk, “AAB Construction” shpk, N.N.P “Ndertimi”, “Urban O.P”, “Adnan Bislimi BI”, “Premium-ks” shpk. Vlera për një vit 484, 574.20 euro ose për tri vite, 1 milionë e 375 mijë euro. Pronar i liderit të kompanisë “Kosova Asfalt” është në pronësi të djalit të Bujar Shabanit, dostit të Hysen Durmishit.

Pos kësaj pjesë të tenderit “Prishtina 2”, ministria mori vendim që të anulojë vendimin e veta dhe të kthehen në rivlersim dhe njërën pjesë të tenderit “Prishtina -2” ku kanë qenë të rekomanduar për kontratë kompanitë në konzorcium “Rahovica” shpk,  “Quality Asphalt” shpk,  “Eurotrans” shpk, “Iridiani” shpk , “Korsel  shpk, “Ja -Mi Ekspert Import Dooel Kavadar”.

Po ashtu, në rivlerësim është kthyer edhe “Prishtina -1” ku kanë qenë të rekomanduar për kontratë ”Via” shpk, Eurokos Holding”, “A.L -Asfalt” shpk, “Dio Bes” shpk, “Eurotitan” shpk.

Ministria ka pranuar se ka bërë shkelje edhe kur ka rekomanduar për kontratë “Peja – 1”  ku janë rekomanduar  “Alko Impex -General Construction”, shpk, “Ex -Fix” shpk.

Po ashtu edhe “Gjilani -2” ku kanë qenë të rekomanduar për kontratë “Via Egnatia”, “Humolli -S -Petrol”, shpk, “VJV Group”. Vlera për një vit 652, 324.77 euro.

Ministria nuk ka treguar se cilat kanë qenë shkeljet që i ka bërë, konkretisht kushtet të cilat nuk i kanë plotësuar kompanitë kur janë rekomanduar për kontratë, por vetëm ka thënë se janë bërë lëshime.

“MMPHI si autoritet kontraktues pas pranimit të kërkesës ka shqyrtuar vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të palës ankuese. MMPHI, gjatë shqyrtimit të pretendimeve ankimorë Operatorëve ekonomik, vërenë se gjatë vlerësimit janë bërë disa lëshime tek grupi i OE: të rekomanduar për kontratë: tek Prishtina 1, Prishtina 2 dhe Prishtina 3. Andaj duke u bazuar në pretendimet ankimore, dhe duke i vërejtur ato gjatë shqyrtimit, MMPHI vendosë që lot 1,2,3 dhe Regjioni Prishtina 1, 2, 3 Lënda të kthehet në Rivlerësim”, thuhet në ankesën që i është aprovuar grupit të kompanive ankimore.

13 subjektet tjerat që kanë qenë kompani në konzorcium, por dhe si të vetme, ankesat e të cilave janë hedhur poshtë nga ministria, do të kenë të drejtën që të ankohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP.

Ndonëse, tek kontratat Prishtina 1, 2 dhe 3, ministria i ka kthyer në rivlerësim duke thënë se ka pasur disa lëshime. Periskopi ka raportuar paraprakisht për shkelje, në të paktën dy prej këtyre pjesëve. /Persikopi/

Lexo edhe:

A janë të përfshirë krerët e ministrisë në tenderin 16 milionësh, për të cilin Periskopi raportoi dhjetë herë

Edhe:

Tenderi milionësh: Ministria nuk iu lejon qasje kompanive në ofertën fituese të dostave të Hysen Durmishit

Edhe:

Për tenderin 23 milionësh, rekomandohen për kontratë familjarët e dostit të zëvendësministrit Durmishi

 

 

Shpërndaje në: