Ministria heq dorë nga çmimi tavan i naftës, tash e tutje varet në ndërgjegjen e naftëtarëve

Ministria heq dorë nga çmimi tavan i naftës, tash e tutje varet në ndërgjegjen e naftëtarëve

Caktimi i çmimeve të naftës dhe benzinës u është lënë sërish në dorë naftëtarëve. Ministria e Tregtisë, e cila deri para dy ditësh e caktonte tavanin e çmimeve për 24 orë, ka njoftuar se tash s’do ta bëjë një gjë të tillë. Për mënyrën se si do të veprohet tash e tutje me caktimin e çmimeve kanë folur nga Shoqata e Naftëtarëve.

Shtrenjtimi i naftës dhe benziës në gati 2 euro, e kishte shtyrë Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë që të dilte me një Udhëzim administrativ për rregullim të çmimeve.

Bazuar në këtë udhëzim, Ministria dilte çdo ditë me një vendim, ku caktonte tavanin e çmimeve për 24 orë.

Me këtë praktikë, Ministria vazhdoi për një muaj, deri më 24 korrik.

Në njoftimin e para dy ditësh, MINT tha se “masat në vijim për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse, do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut në nivel qendror dhe komunal në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe në komunikim e konsultim të afërt me Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe me konsumatorët.”

Sipas Ministrisë, nga dita kur kanë filluar me këtë praktikë, çmimi i naftës ka rënë për 26 cent, i benzinës për 40 cent, derisa i gasit për 13 centë.

Për këtë çështje kanë folur naftëtarët. Nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës kanë thënë se çmimi tavan që caktonte Ministria i ka dërguar pikat e karburantit buzë falimentimit.

Kreu i kësaj shoqate, Fadil Berjani, i ka thënë Gazetës Express se të gjitha pikat me pakicë kanë punuar me humbje, me vendimin e MINT.

Ai ka thënë se do ta respektojnë çmimin e berzës.

“Çmimi të cilin e ka diktu ministria, çmimi tavan i ka pru pikat e karburantit buzë falimentimi. Dhe të gjitha pikat me pakicë kanë punuar me humbje. Ka raste kur benzina u shit me – 10 cent me humbje. Kosova është treg i hapur dhe liberal. Jemi shteti ma i vogël në botë me më së shumti pika karburanti.  Çmimin e përcakton berza dhe duhet të rrespektohet. Çmimi në berzë reflekton edhe te ne”, ka deklaruar Berjani.

Sipas tij, çmimi për një litër naftë sot sillet rreth 1 euro e 68 centë, e për benzinë 1 euro e 53 centë.

Thotë se trendi është që të bien çmimet edhe më shumë.

“Tërë javën e kalume ka pas rënie të derivateve në berzë dhe kemi pas rënie të çmimit në tregjet ndërkombtare dhe te ne në Kosovë dhe trendi është në rënie”, ka deklaruar Berjani.

Ndryshe, para dy javësh, Berjani i ishte drejtuar me një letër kryeministrit Kurti për vendimin e tavanit të çmimeve për derivate.

Në këtë letër ai kishte thënë se vendimi i Qeverisë i premtuar 12 cent për litër nuk është duke u zbatuar nga MINT.

“Ju njoftojmë edhe njëherë se Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjellur kompanitë e vogëla me pakicë buzë falimentimit. Ky vendim i Qeverisë i premtuar 12 cent për liter nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pikat me pakice janë furnizuar dje me cmimin 1.71 cent brenda territorit të Rep. së Kosovës, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cakton cmimin me 1.75 cent, ku sipas kësaj pikat e vogëla të karburantit nuk mund të mbijetojnë më 4 cent”, thuhej në letrën e Berjanit.

Shpërndaje në: