Ministria i demantoi, vreshtarët publikojnë emailat që dëshmojnë tendencën për ulje të subvencioneve

Ministria i demantoi, vreshtarët publikojnë emailat që dëshmojnë tendencën për ulje të subvencioneve

Shoqata e Vreshtarëve “Vreshtari” nga Rahoveci sot përmes një komunikate njoftoi se kanë marrë paralajmërimin nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural se do u ulen subvencionet nga 100 euro për ha në 400 euro. E këtë gjë dolën dhe e mohuan nga ministria përkatëse, mirëpo e vërteta po qëndron ndryshe.

Tash Shoqata e Vreshtarëve kanë publikuar emailat e shkëmbyer me MBPZHR’në lidhur me këtë çështje, e që demanton demantimin e Qeverisë Kurti për uljen e subvencioneve për kultivimin e rrushit, raporton Periskopi.

‘’Gjatë ditës patëm reagime dhe përkrahje të gjërë për shqetësimin e ngritur rreth propozimeve të ardhur nga MBPZHR, rreth uljes së subvencioneve për sektorin e vreshtarisë. Për të gjithë vreshtarët ja ku qëndron e vërteta rreth propozimeve për ulje të subvencioneve. Si shoqatë nuk do ndalemi as që do të kursehemi në mbrojtje të interesave të vreshtarëve’’, thuhet në postimin e shoqatës në Facebook.

Vreshtarët sot deklaruan se më 11 qershor, ministria kishte publikuar propozimin për uljen këtyre subvencioneve, duke theksuar se vreshtarët nuk ishin të ftuar dhe as të informuar për këtë takim.

“Në bazë të këtij njoftimi ne si Shoqatë e Vreshtarëve dhe përfaqësues të bujqve vreshtarë, kemi reaguar ashpër në takim dhe kemi kundërshtuar këtë propozim i cili ka pasoja për gjithë sektorin e vreshtarisë që konsiderohet si i vetmi sektor që sjell punësime dhe të hyrat në ekonomitë familjare në mbi 4.760 fermerë në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shoqata shkruan se e kundërshton fuqishëm çdo veprim dhe tendencë për të ulur subvencionimin e këtij sektori. Ata kanë paralajmëruar edhe protesta.

“Ne si Shoqatë me një anëtarësisë me 4.760 vreshtarë, me anë të këtij reagimi po përpiqemi të gjejmë forma për ta mbrojtur sektorin dhe fermerët vreshtarë, në rast se nuk gjejmë mirëkuptim dhe përkrahje për kërkesat tona legjitime, hapat tjerë do jenë më të ashpra duke shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore dhe nëse është e nevojshme, edhe mekanizma tjerë siç është dalja në rrugë të gjithë vreshtarëve – protesta”, thuhet tutje.

E në reagimin e Ministrisë së Bujqësisë sot u cilësua si njoftim i rrejshëm ai i vreshtarëve, duke thënë se deri më tani MBPZHR-ja nuk ka marrë kurrfarë vendimi për uljen ose ngritjen e kësaj kategorie apo të çdo kategorie tjetër të mbështetjes përmes Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve./PERISKOPI/

Shpërndaje në: