Ministrja e Drejtësisë me thashetheme: Thotë se persona brenda institucioneve po shpifin ndaj saj

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se disa persona brenda institucioneve të drejtësisë po shpifin kundër saj.

Ajo ka shkruar se qëllimi i këtyre shpifjeve është njollosja e përpjekjeve për reformën në drejtësi.

“Në vend të mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për këto reforma, persona të papërgjegjshëm kanë zgjedhur shpifjen dhe tendencën për baltosje. Pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë punën e angazhimin për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës”, ka shkruar ajo duke mos dhënë informacione shtesë.

Shkrimi i saj i plotë:

Dy nga zotimet tona kryesore para qytetarëve kanë qenë sundimi i ligjit që i hap rrugën edhe luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe zhvillimi ekonomik që i hap rrugën vendeve të reja të punës.

Reformat në drejtësi janë shumë të rëndësishme. Për këtë kemi marrë mbështetje të madhe qytetare.

Është jetike që Kosova të bëhet shtet i së drejtës.

Ka disa ditë që persona të papërgjegjshëm përbrenda institicioneve të drejtësisë janë duke shpifur në formën më të ulët në drejtim timin.

Padyshim që qëllimi i këtyre shpifjeve është njollosja e përpjekjeve serioze për reformën në drejtësi.

Në vend të mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për këto reforma, persona të papërgjegjshëm kanë zgjedhur shpifjen dhe tendencën për baltosje.

Pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë punën e angazhimin për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës.

Asgjë nuk na ndalon!