Ministrja Hajdari mohon se ka qenë këshilltare e Thaçit, Tahiri ia kujton: Unë të kam shkarku

Periskopi.com Lajme

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ministrja Rozeta Hajdari, ka qenë këshilltare e ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

Tahiri thotë se ajo i ka shërbyer qeverive të mëparshme, teksa shtoi se këto 12 vitet e fundit, qytetarët e Kosovës e kanë paguar më së liri energjinë në Evropë.

“Unë mesa e di edhe ministrja është qytetare rezidente e Kosovës. Edhe këto vite pas shpalljes së pavarësisë i ka shërbyer qeverive të mëparshme dhe mirë me bo një autokritikë qysh e boni një deputete në raport me liderin e tyre suprem dhe me tregu për gabimet që i ka bo në të kaluarën dhe tash sa mirë është duke marrë drejtim. Dhe, ministre këto 12 vite qytetarët e Kosovës e kanë paguar energjinë më të lirën në Evropë. Veç Ukraina e ka paguar më lirë se na. Kurrë s’ka pasur reduktime, ndërkaq në Qeverinë tënde ku ti po shërben, Republika e Kosovës është një nga 10 vendet që ka me pagu më së shtrenjti energjinë. Qe ku e ki pru Kosovën mas 20 vjete. Mas 20 vjete i ki kthy reduktimet, e ki rritë energjinë elektrike, si rezultat i neglizhencës tuaj”, tha Tahiri.

Lidhur me këtë ka reaguar vet ministrja Hajdari, e cila ka thënë se ka qenë vetëm eksperte e UNDPI dhe se e ka ndihmuar Qeverinë Çeku.

“Deputet Tahiri ju keni thënë se unë kam qenë këshilltare e ish-kryeministrit Thaçi. A mund ta dokumentoni ndonjëherë nëse unë kam pasur kontratë si ish-këshilltare e Thaçit dhe a jam paguar nga Qeveria e Kosovës si ish-këshilltare e ish-kryeministrit Thaçi. Kur ma sjellë atë kontratë mund të flasim. Unë isha eksperte e UNDPI që jam paguar me kontratë të jashtme që t’i ndihmojë Qeverisë Çeku. Më keni trashëguar me kontratë të jashtme dhe kam punuar deri në maj të vitit 2008. Më keni ofruar të jem këshilltare e juaj, s’kam pranuar. Kam vazhduar tre muaj pa kontratë që mos t’iu lë juve në baltë, për mos ta lënë Kosovën në baltë, sepse ishte”, deklaroi ajo në seancën që po mbahet në Kuvendin Kosovës.

Tahiri insistoi se Hajdari ka qenë këshilltare e Thaçit dhe se është shkarkuar me kërkesë të tij.

“Kjo ka qenë këshilltare e jashtme e kryeministrit Thaç, të cilës unë personalisht, si shef i kabinetit të kryeministrit Thaçi, kam kërkuar t’ia shkëpusë kontratën. Pra, kjo është e vërteta e saj. Kjo ka qenë një këshilltare e paaftë”, tha Tahiri.