Misini: Ka pasur raste që personat me aftësi të kufizuar është dashur të ngjiten në katin e dytë për t’u vaksinuar

Misini: Ka pasur raste që personat me aftësi të kufizuar është dashur të ngjiten në katin e dytë për t’u vaksinuar

Ka pasur raste kur personat me aftësi të kufizuar është dashur që të ngjiten në katin e dytë që të vaksinohen.

Kjo ka ndodhur në Qendrën e Vaksinimit në Deçan.

Kështu tha në një intervistë për Sytë 7 zyrtarja për komunikim në Handikos, Kaltërina Misini.

Misini tha se qasja në objektet e institucioneve mbetet akoma sfidë për personat me aftësi të kufizuar.

“E kemi pasur një rast në Deçan ku një person me aftësi të kufizuar është ankuar se i është dashur që të ngjitet në katin e dytë që të vaksinohet. Ka pasur plot raste, ta zëmë për vaksinim ku punonjësit shëndetësor janë detyruar të dalin jashtë dhe të vaksinojnë personat me aftësi të kufizuar”.

“Fatkeqësisht qasja e plotë nuk ekziston në asnjë institucion, sepse qasja nuk nënkupton vetëm një pjerrinë e objekti. Qasja ka edhe plot elemente të tjera, qasja në tualet, qasja në liftin e objektit i cili shpesh di te jetë problem nëpër institucione ku personat me aftësi të kufizuar duhet të marrin shërbimet e nevojshme siç janë ato institucionet shëndetësore”.

Ajo theksoi se ka pasur edhe kandidatë për Asamble Komunale që iu kanë futur garës në këto zgjedhje lokale.

Sipas saj nga 11 kandidatë, tre prej tyre kanë arritur ta sigurojnë një vend.

“11 kandidatë me aftësi të kufizuara kanë garuar në zgjedhjet lokale. Dy apo tre prej tyre kanë arritur të fitojnë”.

Qeveria e Kosovës, zyrtarisht vitin 2022 e ka shpallur si vit të personave me aftësi të kufizuar.

Shpërndaje në: