Misteri me ata që paguhen për të postuar në Instagram: Aksidenti ‘i rremë’ me motor

Arwa Mahdawi Op-Ed

Tiffany Mitchell, një influencuese e Instagramit, po e ngiste motoçikletën e saj kur mori një kthesë të gabuar dhe doli jashtë rruge. Aksidentet me motoçikletë rrallë janë gjëra të bukura, por ky ishte i tillë. Me një fat të pabesueshëm të vetmet plagë të Mitchelli ishin disa njolla në krahun e saj. Një burrë i pashëm po i ndihmonte asaj dhe videoja e xhiruar me kamera ishte postuar në Instagram.

Kur Mitchelli së pari e kishte dokumentuar aksidentin e saj, më 31 korrik, ndjekësit e saj e shihnin me simpati. Por më pas nisën dyshimet. Pse plagët e saj ishin kaq të vogla? Pse helmeta e saj ishte larguar menjëherë kur protokolli e dikton që, në shumicën e rrethanave, duhet të mbahet e vënë? Pse gjithçka ishte filmuar në mënyrë aq profesionale? Dhe më e dyshimta, pse e kishin një gotë të Smartwater në njërën prej fotografive të saj? A ishte ky aksident i tmerrshëm i bërë me qëllim për të fituar reklama?

Absolutisht jo, sipas Mitchellit. Në një artikull të publikuar të hënën, Mitchelli i tha Buzzfeed Newsit që ajo “kurrë nuk do ta kthente një storie personale si kjo në një fushatë reklamimi”. Ajo po ashtu pyeti Buzzfeedin që të përmbahej nga shkrimi i një artikulli për kundërthënshmërinë e saj sepse do të “tërhiqte vëmendje negative”.

Pasi doli artikulli i Buzzfeed, Mitchell postoi një storie në Instagram duke akuzuar mediumin se “po sensazionalizonte atë nëpër të cilën kalova në atë ditë [të aksidentit], dhe se po përqeshte postimin që kisha shpërndarë”. Ajo përsëriti se kjo nuk ishte një reklamë, duke thënë që kishte zbuluar “çdo sponzorizim të mundshëm”.

Por, çka në dreq po ndodh? A është trajtuar keq Mitchelli? Apo, mos e kemi mbërrirë një fazë të vonë të kapitalizmit ku njerëzit sajojnë aksidente me motoçikletë në mënyrë që të rrisin ndjekësit në media sociale? Kam frikë se kurrë s’do ta dimë të vërtetën, por duhet të theksohet që përfaqësuesit e Smartwaterit kanë thënë që nuk kishin pasur marrëveshje sponzorizimi me Mitchellin.

Ndoshta çështja më e rëndësishme, megjithatë, është fakti që po debatojmë për një gjë të tillë, gjë që shfaq se sa jashtë kontrollit ka dalë industria e influencuesve.

Gjatë ditëve të hershme të medieve sociale, influencuesit ishin njerëz kundër të famshmëve. Njerëzit iu besonin influencuesve sepse ata ishin njerëz normalë. Ata ishin autentikë, dhe brendet i donin sepse autenticiteti shet; ka më shumë gjasë që të blini diçka që e blen edhe dikush që i besoni.

Por në pak vitet e kaluara, ne jemi bërë gjithnjë e më të zhgënjyer me versionet e filterizuara në mënyrë perfekte në mediat sociale.

Vitin e kaluar, për shembull, një influencuese 24 vjeçare e quajtur Scarlett London tha se po merrte kërcënime me vdekje pasi kishte postuar një fotografi të sajën të sponzoruar në Instagram. “Ditët më të mira nisim me një buzëqeshje dhe mendime pozitive,” kishte thënë ajo nga shtrati. “Dhe petulla. Dhe dredhëza.”

Një burrë i quajtur Nathan postoi më pas në Twitter: “Ky është mëngjesi normal i secilit. Instagrami është një faktor qesharak që na bën të gjithëve të ndihemi joadekuat.” Postimi u bë viral dhe detektivët e Twitterit zbuluan që petullat ishin në fakt tortija të thata e të palosura. Ta themi troç: ditët më të mira nuk nisin me tortija të thata.

Londoni nuk është e vetmja influencuese që ka gënjyer në atë formë. Gjatë këtij viti, një influencuese vegane e quajtur Rawvana u kap duke ngrënë peshk dhe i duhej të bënte një kërkim-falje me lot në sy pas sharjeve të shumta nga ndjekësit e saj. Pak më pas, edhe një tjetër influencuese vegane e njohur si Raw Alignment e tërboi internetin duke publikuar një video ku tregonte se kishte hequr dorë nga veganizmi muaj më parë. E kështu me radhë.

Dhe, ndoshta më bizarja nga të gjitha, kemi një grup të madh influencish që pretendojnë se postimet e tyre janë të sponzoruara kur në fakt nuk janë – sepse të perceptohesh se ke marrëveshje me brende iu jep më shumë pushtet.

Mitchelli ndoshta nuk ka sajuar asgjë, por nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se po bombardohemi me reklama aq sa instinkti ynë i parë është të dyshojmë në gjithçka, madje edhe në aksident me motoçikletë, se s’është tjetër veçse reklamë. Ajo që ka rëndësi është se jemi lodhur nga rrenat e influencuesve aq sa s’iu besojmë as kur e thonë të vërtetën. /The Guardian, Periskopi

Shpërndaje në: