Mjeku Valbon Krasniqi thotë se 8 persona janë në gjendje të rëndë nga koronavirusi

Mjeku Valbon Krasniqi thotë se 8 persona janë në gjendje të rëndë nga koronavirusi

Kosova që nga 13 marsi është duke u përballur me pandeminë e koronavirusit. Nga kjo datë e deri tani janë shënuar 71 raste ndërsa javën që lamë pas u shënua viktima e parë nga COVID-19, shkruan Periskopi.

Aktualisht, në Klinikën Infektive pacientët që po trajtohen janë të moshave të ndryshme dhe tetë prej tyre janë në gjendje më të rënduar.

Infektologu nga Klinika Infektive në Prishtinë, Valbon Krasniqi, për Periskopin konfirmoi se për momentin janë tetë raste të cilat janë me gjendje më të rënduar por që thekson se nuk janë në rrezik për jetë.

‘’Për momentin i kemi tetë raste që janë në gjendje më të rëndë kraharuar me pacientët e tjerë. Krahas terapisë së rregullt,  këta tetë persona marrin edhe oksigjen. Disa në mënyrë të vazhdueshme e disa herë pas here. Asnjëri prej tyre për momentin nuk është në rrezik për jetë. Ata janë të moshave të ndryshme, sepse edhe moshat e reja kanë sëmundje tjera shoqëruese. ‘’, thotë Krasniqi.

Tutje, doktori thotë se gjatë kësaj jave do të ju bëhen strishot pacientëve të cilët po hyjnë në javën e tretë për të parë nëse dikush prej tyre është shëruar tërësisht nga koronavirusi.

‘Në aspektin klinik, te shumica e pacientëve gjendja është e mirë dhe ka përmirësim sepse kanë ardhë me simptoma më të ashpra dhe tani i kanë më të lehta. Nga të gjithë pacientët, vetëm një gjatë 24 orëve të fundit ka pasë temperaturë dhe është shenjë e mirë. Disa të tjerë kanë plogështi të trupit dhe kokëdhembje por janë të intensitetit më të vogël. Gjatë kësaj jave po presim që ka pacientë që veç kanë hy në javën e tretë dhe tash është koha kur ne fillojmë t’i bëjmë strishot për të parë nëse janë negativizu dhe mbase mund të kemi ndonjë pacient të shëruar.’’, tha doktor Krasniqi.

Deri më tani, 471.794 persona janë të infektuar me koronavirus në të gjithë botën. Ndërsa numri I të vdekurve ka shkuar në 21. 297, sipas portalit Ëorldofmeters.

14.795 persona janë në gjendje kritike, ndërsa 114.703 pacientë janë shëruar nga virusi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, epiqendra e koronavirusit tashmë është në Evropë./Periskopi/Z.R/

Shpërndaje në: