Mjerimi qesharak i militantëve partiakë në Kosovë: Keqpërdorin Kadarenë, Adem Jasharin, Joe Biden

Mjerimi qesharak i militantëve partiakë në Kosovë: Keqpërdorin Kadarenë, Adem Jasharin, Joe Biden

Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar dhe më i keqpërdorur nga partitë politike në Kosovë. Tani kur veçse kanë filluar fushatën, Kadare ‘rikthehet me thëniet e famshme’ – që në të vërtetë nuk i ka thënë ai – pra janë DEZINFORMATA ose në rastin konkret ‘thënie të rreme’.

Kështu për shembull, një e re që po qarkullon së fundmi është një shprehje që gjoja e ka thënë Kadare dhe që po e përdorin partitë ose grupet mbështetëse të partive politike si Vetëvendosje dhe LDK.

Për VV-në dhe liderin e saj Albin Kurti, z. Kadare në një univers paralel sipas militantëve të VV-së, na paska pas thënë se (mbani frymën…): ‘Të jesh kundër Albin Kurtit sot, është sikur të jesh kundër Adem Jasharit në vitin 1998’

Ok popull. Por militantët e LDK-së, e kanë modifikuar thënien që s’ka dalë kurrë nga goja e as dora e Kadaresë, se ‘të jesh me LDK-në sot është si me Adem Jasharin në vitin 1998’.

Teksa po e shkruajmë këtë lajm, na ra ndër mend se veç keqpërdorimit që këto parti zakonisht ia bëjnë Kadaresë në kohë fushate, tash po e keqpërdorkan edhe emrin e Adem Jasharit. Hmm… edhe atë në mënyrë mjaft të paskrupullt.

Qershia mbi tortë… Militantët e PDK-së kanë gjetur dikë tjetër. Joe Biden.

Nga kjo parti, militantë e votues të saj, po shpërndajnë një foto-montazhë gjoja sikur presidenti Biden e çmon më së shumti PDK-në nga partitë politike në Kosovë. E çmon për ‘institucionalitetin dhe intelektualët’ që ka në gji.

Periskopi iu bën thirrje lexuesve, që të talleni me partitë politike, duke krijuar një foto-montazhë me emra të njohur, ku lavdërohen ato ose udhëheqësit e tyre. Pranojmë edhe me Albert Ajnshtajnin ❤️./Periskopi/

Shpërndaje në: