Mogherini takoi Thaçin dhe Vuçiqin veç e veç

Mogherini takoi Thaçin dhe Vuçiqin veç e veç

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, takoi veç e veç presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në takimin trepalësh në Bruksel, Vuçiq dhe Thaçi do të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre për vazhdimin e dialogut për normalizim marrëdhëniesh, si dhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bëri të ditur Zyra e Mogherinit.

Përpara udhëtimit, Thaçi ka thënë se do të diskutohet për mënyrën se si do të vazhdojë dialogu në fazën e re dhe objektivat që synohen të arrihen në kuadër të procesit të normalizimit.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takimin e fundit në nivel të lartë më 1 shkurt.

Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht për mënyrat e zbatimit të saj, por shumë nga çështjet e dakorduara kanë mbetur vetëm në letër.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.

 

Shpërndaje në: