Molliqaj do t’i bashkohet protestës së veteranëve: Votimi i sotëm është përçarës dhe thellësisht reaksionar

Molliqaj do t’i bashkohet protestës së veteranëve: Votimi i sotëm është përçarës dhe thellësisht reaksionar

Kreu i PSD’së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas kalimit të Projektligjit për pagën minimale, e që jashtë këtij projektligji kanë mbetur veteranët e UÇK’së.

Molliqaj ka kritikuar ashpër deputetët e VV’së duke thënë se “Votimi i sotëm është përçarës dhe thellësisht reaksionar”

Postimi:

AKULL

Kaq shpejt, kaq thjesht. Veteranët jashtë llogarisë! Shumica qeverisëse me përbuzje ka përjashtuar veteranët e UÇK-së nga “reforma” sociale. Ky është segregim.

Akull prej disponimit, pa dilema, pa llafe. U krye, miratohet! Sikur po votohej për ligjin që mbron mishin e dhëmbëve nga rrëmojëset jo cilësore. Çfarë UÇK-je?! Çka është ajo?! A hahet?! Cila luftë mund të përmendet pas 14 shkurtit?!

Votimi i sotëm është përçarës dhe thellësisht reaksionar. Qeveria ka kundër-pozicionuar punëtorët dhe veteranët e luftës. Veteranët qenkan pengesë për punëtorët dhe progresin. Një politikë e përgjegjshme sociale kërkon thurjen e elementeve përbashkuese drejt kohezionit social.

Veteranët janë pengesë, sindikatat përjashtohen prej vendimmarrjes, këtu qenka konflikti. Me kompanitë shumë milionëshe e bankat mirë, o Zot, paskemi harmoni.

Për pagën minimale, pas përpjekjeve për kontroll, i shpërfillën sindikatat. Për pensionin e veteranëve, nënçmuan shoqatat e përjashtuan veteranët.

Qeveria tha se ka veteranë të rrejshëm, por nën këtë supozim (të vërtetë mbase) përjashtoi gjithë veteranët luftëtarë që janë shumicë në atë listë.

Na u tha se lufta është meritë, dhe jo punë skemash sociale, por për meritën dhanë llafe goje, kurse pensionin e luftëtarëve e shkëputën nga minimumi jetik.

Për shtetin nuk përbëjnë kosto mbi 15 milionë të derdhura për polisat e sigurimit për diasporën, nuk përmenden kurrë as nuk janë pjesë e akuzës gjithë ata qytetarë që jetojnë jashtë e marrin pension jashtëligjshëm. Buxheti rëndohet nga UÇK-ja dhe “komandantët”.

Listat qenkan të fryra, dhe duhet pastruar. Ky është arsyetim pa argument. Sepse të njëjtat lista përfitojnë pensionin prej 170 eurosh. Qeveria po na thotë se veteranët e rrejshëm mund t’i marrin 170, por jo 264 euro.

 

Shpërndaje në: