Molliqaj i reagon Kurtit: Frika prej hasmit t’çon n’derë t’diktatorit
Molliqaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rreziku që vjen prej Serbisë shpesh edhe mundet me qenë real, por nevoja e Kurtit për armiq brenda dhe jashtë shkon përtej kësaj.
Ai tutje, duke iu drejtuar Kurtit ka thënë se frika prej hasmit t’çon n’derë t’diktatorit..
Në fund Molliqaj është shprehur se ky zhvillim përbën ndërhyrje në dinamikën zgjedhore në Kosovë.
Postimi i plotë:
Refuzojeni frikën!
Sulmi ndaj infrastrukturës kritike si uji e rryma përbën vepër të rëndë me qëllime të qarta për të shkaktuar terror në popullsi. Për këtë duhet dënuar vepra dhe kryerësi. Por, ky fakt nuk mund të na e suspendojë gjykimin mbi kontekstin dhe historikun.
Liria vjen prej njerëzve që e imagjinojnë dhe e shohin bukurinë e saj, nuk vjen prej atyre që na tregojnë sa i tmerrshëm është armiku. Rreziku që vjen prej Serbisë shpesh edhe mundet me qenë real, por nevoja e Kurtit për armiq brenda dhe jashtë shkon përtej kësaj. Idealet e lirisë janë midis njerëzve, prej aty lindin e frymëzohen përpjekjet.
Dikur na kanë thënë se skamja t’çon n’derë t’hasmit. Tash duhet të themi se frika prej hasmit t’çon n’derë t’diktatorit.
Ky popull duhet me refuzu me jetu një përditshmëri të frikës. Kjo është rruga e nënshtrimit ndaj atij që na shpallet si mbrojtës.
Nuk themi se ka marrëveshje midis Kurtit e Vuçiqit, themi plot bindje se ky zhvillim përbën ndërhyrje në dinamikën zgjedhore në Kosovë, zhvillim ky që ia rritë Kurtit devizën e vetme.