Molliqaj: I rëndë dhe me pasoja do të jetë inflacioni që Albin Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik

Molliqaj: I rëndë dhe me pasoja do të jetë inflacioni që Albin Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës Dardan Molliqaj ka komentuar mbi procesin zgjedhor të djeshëm duke thënë se “Inflacioni politik” ka sjellë rënie elektorale.

Molliqaj ka thënë se rënia e VV-së në këto zgjedhje ka ndodhur sepse këta të fundit nuk kanë kuadro dhe janë të reduktuar e të mbyllur tek një emër.

Ai tha se Kurti i ka shkaktuar inflacion fjalorit politik me thirrjet e tij për të votuar Mimoza Kusarin e Agim Bahtirin.

“Inflacioni politik sjell rënie elektorale. Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale përfundoi. Ishte vërtetë rreth. Pa garancë, pa domosdoshmëri, pa krye. Rreth i fushës së hapur, i demokracisë”, thotë ai.

Ai tregon se edhe pse thuhet se zgjedhjet lokale kanë dallim me zgjedhjet qendrore, 17 tetori tregoi se VV-ja ka mungesë të kuadrove.

“Leximi i parë i rezultateve pashmangshëm të çon tek dallimi i madh midis këtyre zgjedhjeve, dhe atyre që sollën pushtetin “Krejt dhe drejt!” Shumica flasin për dallimin midis zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore, duke argumentuar pastaj mbi mungesën e emrave e kuadrove për pushtetin “Krejt dhe Drejt!” Nëse pushteti i “referendumit” nuk paska kuadro, kjo nuk flet mirë për të as në nivelin qendror. Mbi të gjitha, kjo vetëm rastësi nuk mund të jetë. Pushteti “Krejt dhe Drejt!” është i reduktuar dhe i mbyllur tek një emër. Duke qenë kështu, ky është rezultati më i logjikshëm i bazës ideologjike e organizative të VV-së. Ndaj, qoftë suksesi, qoftë dështimi i atribuohen një emri të përveçëm. VV nuk njeh nocione si shumësia apo autonomia. Njeh rreshtin e bindjes, pavarësisht ideologjisë. Nga Mimoza Kusari tek Agim Bahtiri, rëndësi ka vija e rreshtit dhe mundësia për sukses”, thotë ai.

Ai thotë se edhe thirrja për besnikëri ndaj Mimoza Kusarit dhe Agim Bahtirit do të jetë me pasoja të rënda për Albin Kutin.

“I rëndë dhe me pasoja do të jetë inflacioni që Albin Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik. A nuk ishte rrëqethëse të dëgjosh thirrjet për besnikëri teksa përkrahej Mimoza Kusari. Instrumentalizim e degradim i rëndë është edhe përdorimi i veglave si metaforë për frymëzim politik. Motorët e turbinat mund të tregojnë shpejtësi e efikasitet, por jo mendje e shpirt. Siç duket ka një mosmarrëveshje mbi leximin e rezultateve të 14 shkurtit. Qytetarët nuk kanë votuar për ta zëvendësuar njerëzit duke vazhduar padrejtësitë. Ata janë hapa larg edhe nga shumë analiza të studiove televizive. Gabimet e pushtetit aktual nuk do të mund të arsyetohen nga analogjia me gabimet e pushtetin të kaluar. Politika bëhet tash dhe këtu!”, përfundoi ai.

Shpërndaje në: