Molliqaj: Kemi indikacione se Kadri Veseli organizon sulmet e kërcënimet kundër meje

Molliqaj: Kemi indikacione se Kadri Veseli organizon sulmet e kërcënimet kundër meje

Vetëvendosje sërish mbajti një konferencë, ku prezantoi kërcënimet e fundit që po merr Sekretari Organizativ i kësaj lëvizjeje nga persona ende të paidentifikuar nga Policia.

Në konferencën e jashtëzakonshme që u mbajt sot në zyrat e VV-së, para gazetarëve folën deputetët Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu, të cilët prezantuan përmes video-materialeve e fotografive detaje nga përcjellja e parë e Molliqajt para dy muajsh dhe kërcënimin e fundit që i është bërë mbrëmë.

Periskopi ka kontaktuar me Molliqajn lidhur me këto kërcënime që po adresohen te ai.

Molliqaj, ka përmendur emrin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli si njeriu që fshihet dhe organizon kërcënime e sulme të tilla ndaj tij.

Madje, Molliqaj tha se Vetëvendosje ka indikacione të fuqishme se prapa sulmit të parë, më 22 mars, 2017, ku u rrah brutalisht aktivisti i VV-së Agron Kabashi, ka qenë i përfshirë edhe vet Kadri Veseli, por tha se po presin nga Policia që të ec tutje me rastin.

“Është e qartë se prapa këtyre kërcënimeve janë grupe kriminale në Kosovë, të cilat në masë të madhe udhëhiqen nga strukturat e SHIK-ut dhe nga drejtuesi i saj, Kadri Veseli. Ne kemi indikacione të forta se ndaj sulmit të parë, që ka ndodhur ndaj Agron Kabashit, ku kam qenë edhe unë, edhe zoti Veseli ka qenë i përfshirë dhe ka ndikuar në këtë rast. Megjithatë po presim që Policia me ec tutje. Ne kemi ofru shumë dëshmi, por edhe vet zoti Veseli ka komunikuar me persona të tjerë për këtë rast, rastin tim pra dhe sigurisht që është ai përgjegjësi, sepse jo rastësisht sa herë që unë personalisht kam folur për strukturat e SHIK-ut, qoftë ato në politikën e Kosovës apo nëpër ministri që e zhvatin buxhetin e shtetit, kanë ndodhur ose kërcënime përmes postës elektronike apo përcjellje fizike, siç ishte rasti i fundit e deri te sulmet të drejtpërdrejta fizike”, tha Molliqaj për Periskopin.

I pyetur se a ndihet i frikësuar nga kërcënimet e shpeshta që po i merr, Molliqaj tha se është i vetëdijshëm që angazhimi për të bërë ndryshime në Kosovës sjell pasoja individuale e kolektive.

Por tha se ky angazhim nuk është i lehtë, meqë në krim e korrupsion, sipas tij, janë përfshirë edhe institucionet që do duhej ta luftonin krimin e korrupsionin.

“Sigurisht, angazhimi i Vetëvendosjes dhe i secilit aktivist për me bë ndryshime në Kosovë, në veçanti për me luftu krimin, i cili është instalu edhe në institucione të cilat do duhej ta luftonin atë, që është Policia e Kosovës, është një angazhim që sjell pasoja, qoftë individuale, qoftë kolektive për vendin tonë. Por, këto pasoja asnjëherë nuk do ta ndalin Vetëvendosjen për t’i ofru Kosovës dhe shoqërisë së saj një shtet edhe të pavarur edhe demokratik”, vazhdoi ai.

Molliqaj ka porositur kërcënuesit se angazhimi i Vetëvendosjes për të ndërtuar shtetin nuk ndalet.

Por, gjithashtu ai paralajmëron të përfshirit në krim se, përveç vendosjes së drejtësisë, do t’u konfiskohet edhe pasuria, që ai thotë se është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Besoj se ata e kanë të qartë se Vetëvendosje nuk ndalet në ndërtimin e shtetit të së drejtës, por ata duhet të kenë të qartë edhe një gjë tjetër, që ky shtet i së drejtës nuk nënkupton vetëm vendosjen e drejtësisë për të gjithë, por edhe konfiskimin e krejt asaj pasurie të paligjshme që ata e kanë ndërtu përmes krimit në Kosovës. E kuptoj që ata dhe tjertë pretendojnë që përmes metodave të kërcënimit, shantazhit e sulmit të ndalin përpjekjen tonë, por është përpjekje e tyre e kotë, sepse ne këtë e bëjmë me vetëdije të plotë, duke marrë parasysh edhe konsekuencat që mund t’i kemi qoftë personalisht, qoftë si grup. Por asnjëherë nuk do të ndalemi deri sa të ketë fitore të ligjit përballë këtyre njerëzve që po e përdorin ligjin për interesat e tyre”, përfundoi Molliqaj.

Sot VV  prezantoi një video-material ku ishin të përfshira kërcënimi i 21 marsit dhe xhirimet e kamerave gjatë natës së 22 marsit, kur ishin përcjellë Dardan Molliqaj e Agron Kabashi, me ç’rast ky i fundit ishte rrahur.

Video-materiali që komentohej nga deputetja Haxhiu gjatë konferencës, përfshin edhe kërcënimin e fundit, i cili, sipas saj, ka ardhur mbrëmë në adresë të Molliqajt, nga profili i njëjtë që e kishte kërcënuar me 21 mars, një natë para se të ndiqeshin dhe të sulmohej aktivisti Agron Kabashi. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: