Molliqaj: Kurti po i prin dialogut me darka, s’mund të kemi shpresë tek ai

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Partisë SocialDemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas darkës së fundit që pati kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Darkën e shtruar nga i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, e në të cilën mori pjesë Kurti, Molliqaj e quan “të gabuar”.

Përmes një video adresimi, Molliqaj, tha se arsyeja pse kjo darkë është e gabuar, është sepse, sipas tij, Kurti, po i prin dialogut me darka para dialogut, duke shtuar se qasja e të parit të qeverisë është qasje populiste.

“Darka e kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq është e gabuar. Është e gabuar jo për shkak se janë takuar por për shkak se Kurti po i prin dialogut me darka para dialogut. Kosova ka nevojë për dialog, Kosova ka nevojë për marrëveshje. Por kjo rrugë e Kurtit është më shumë qasje për publikun e populliste sesa qasje e duhur për zgjidhjen e problemeve. Kurti e din këtë. Madje vet Kurti do t’i flisë më së miri vetes për këtë”, ka thënë Molliqaj.

Tutje, ai shtoi se kjo qasje e Kurtit, është e dëmshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin dhe paqen

“Pjesa e dytë e problemit të që është më e rëndësishme se e para, është sepse kjo qasje është qasje e dëmshme për Kosovën për Ballkanin dhe për paqen. Duke i pranuar temat dhe kornizën e dialogut, pra Asociacioni dhe të ngjashme, krijimi i entitetit territorial e politik e kulturor e ekonomik i komunitetit serb në Kosovë, ajo rrugë nuk ka asnjë shancë as të përfundojë me njohje nga Serbia dhe as të zgjidh problemin siç do të duhej në mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi tutje kryetari i PSD-së.

Me tej, Molliqaj, tha se me këtë rrugë që Kurti e ka zgjedhur, rezultati është i qartë, pasi që sipas Molliqajt, në fund ose do të pranohet rezultati që nuk e bën Kosovën funksionale, ose vazhdohet me satus-quo.

“Kur të futesh në këtë rrugë atëherë rezultati është i qartë.  Ja e pranon këtë rezultat i cili nuk e bënë Kosovën funksionale, ja në fund mund të bësh teke personale e të refuzosh marrëveshje të cilat ia vazhdojnë Kosovës status-quo-në. Të dyja këto janë të dëmshme. Tani ne nuk kemi nevojë më as të shpresojmë e as të presim që ky kryeministër mund të qoj diku tjetër sepse ky është nisur në rrugën dhe mënyrën e gabuar”, vazhdoi tutje ai.

Për fund, ai i ftoi të gjithë që të mobilizohen për kritikë e protestë, sepse, sipas tij, Kosova “është më shumë se Kurti dhe teket e tij”.

“Neve na duhet tani organizim e mobilizim, kritikë e protestë sepse Kosova është më shumë se Kurti, më shumë se teket e tij e më shumë se bindjet e tij të gabuara.  Prandaj e ftoj secilin, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi, por që mund të kemi pajtime sesi duhet të jetë Kosova përpara, sa i përket kësaj çështjeje, të bëhemi bashkë sepse nuk jemi pak. Jemi pak sepse jemi të ndarë, e do të bëhemi shumë kur të jemi bashkë”, përfundoi Molliqaj.

Ky reagim i Molliqajt, erdhi një ditë pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, darkuan së bashku në Berlin, ku pjesë e kësaj darke ishte edhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Më poshtë keni video-adresimin e Kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj: