Molliqaj: Kurti po ju mashtron, veriu s’do të jetë kurrë pjesë e integruar e Kosovës

Molliqaj: Kurti po ju mashtron, veriu s’do të jetë kurrë pjesë e integruar e Kosovës

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se veriu i Kosovës asnjëherë s’do të jetë pjesë e integruar e vendit.

Për këtë çështje ai e ka quajtur mashtrues kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se po tenton që një problem politik ta paraqesë sikur problem të krimit dhe korrupsionit.

“Problemi i veriut para se me qenë problem i krimit dhe korrupsionit, është politik. Për probleme politike ka zgjidhje veç politike. Kushdo që propozon, shtyn dhe thotë se problemet politike do t’i zgjidhë me rend dhe ligj, ai është ose mashtrues ose naiv. Kurti në këtë çështje besoj se është mashtrues”.

Molliqaj në Rubikon tha se Kurti po mashtron dhe ata që e besojnë se çështja e veriut është çështje e krimit janë naivë.

“Asnjë gjasë teorike, praktike nuk ka të ndodhë që veriu i Kosovës një ditë të jetë vetëm pjesë e Kosovës dhe të jetë i integruar dhe i barabartë si jugu i Kosovës. Ky është vetëm një mashtrim i Kurtit, i cili e di këtë. Mund të jetë asociacion, autonomi plus që po quhet dhe mund të jetë pjesë e Kosovës, por se do të jetë pjesë e Kosovës për shkak të moslejimit të referendumit ose të arrestimit të disa serbëve të korruptuar dhe të jetë një ditë i trajtuar sikur veriu, sikur jugu, ky është mashtrim”.

Kreu i PSD-së tha se Kosova ka problem politik me Serbinë dhe ka problem politik veriun, i cili nëse nuk zgjidhet mund të çojë në në konflikt të ngrirë për vite të tëra.

Shpërndaje në: