Monitoruesit thonë se Kuvendi i Kosovës, diskutoi shumë e punoi pak

Monitoruesit thonë se Kuvendi i Kosovës, diskutoi shumë e punoi pak

Përkundër ekzistimit të një shumice të fortë parlamentare, Kuvendi i Kosovës nuk ishte mjaft produktiv gjatë sesionit pranveror. Kështu thonë monitorues të punës të legjislativit, sipas të cilëve, Qeveria dhe mazhoranca nuk punuan mjaftueshëm në miratimin e ligjeve.

Monitoruesit thonë se për ta ishte e papranueshme edhe dështimi i shumë seancave si pasojë e mungesës së kuorumit.

Kuvendi i Kosovës përmbylli punimet e sesionit pranverorë të enjten e 4 gushtit, kur në rend dite për shqyrtim kishte 35 pika të ndryshme, të cilat si jo çdoherë i shqyrtoi të gjitha.

Por, deputetët, kaq efektiv nuk ishin në shumë seanca plenare të cilat ndër të tjera dështuan edhe në mungesë të kuorumit. Përkundër pritjeve dhe ekzistimit të një shumice të fortë parlamentare, këtë sesion Kuvendi nuk ishte mjaftueshëm produktiv, vlerësojnë monitorues të punës së Legjislativit.

Një gjë të tillë e tha për Radio Kosovën edhe Mexhide Demolli-Nimani, nga Lëvizja FOL.

“Jemi dëshmitar të shumë seancave të dështuara për shkak të mungesë të kuorumit. Kemi parë që trajtimi i shumë ligjeve është shty për një periudhë jashtë normales”, thotë Demolli – Nimani.

“Padyshim se kanë pasur mundësi të bëjnë më shumë, sepse numrat në Kuvend i kanë. Vetëvendosje është një prej partive që s’ka pasur nevojë për parti shtesë për të bërë Qeverinë, e si rrjedhojë e kanë pas më të lehtë që të kalojnë më shumë ligje dhe të bëjnë më shumë punë”, tha ajo.

Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë që monitoron punën e Kuvendit, thotë se Qeveria dhe Vetëvendosje kanë mundur të punojnë më shumë, teksa përmend edhe disa punë të mira.

“Një ndër çështjet më pozitive që ka ndodhë gjatë këtij sesioni padyshim se është miratimi i Rregullores së re të Kuvendit, që u arrit pas 12 viteve”, thotë Ehat Miftaraj.

“Ka pasur aktivitet të shtuar të deputetë të grupeve parlamentare, kryesisht të opozitës, që edhe kanë marrë pjesë dhe kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe iniciativat ligjore që kanë qenë në interes të gjerë të publikut”, tha ai

Kenan Gashi, nga rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, po ashtu vlerëson se ka pasur mundësi të bëhet më shumë punë, çka sipas tij nuk ndodhi.

“Në seancat plenare apo ato të jashtëzakonshme kanë dominuar diskutimet politike, por jo edhe interesat e institucioneve apo vet qytetarët. Për ne ka qenë dhe është brengosëse çështja që nuk merren seriozisht sa duhet ankesat dhe kërkesat e qytetarëve apo edhe grupeve tjera të komuniteteve, si bizneset e rinia” tha Gashi.

Radio Kosova ka pyetur në Kuvend për numrin e seancave të mbajtura dhe ligjeve e rezolutave të miratuara gjatë sesionit pranverorë, por deri në përgatitjen e këtij materiali nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërkohë, bazuar në të dhënat e publikuara në ueb faqen e Kuvendit, gjatë këtij sesioni janë miratuar 58 ligje, teksa në lexim të parë u miratuan 40 projektligje.

Shpërndaje në: