Monitoruesja e punës së Kuvendit: Pritjet kanë qenë më të mëdha për produktivitetin e Qeverisë Kurti 2

Monitoruesja e punës së Kuvendit: Pritjet kanë qenë më të mëdha për produktivitetin e Qeverisë Kurti 2

Monitoruesja e punës së Kuvendit, Agnesa Haxhiu, thotë se ka pasur pritje më të mëdha sa i përket produktivitetit të Qeverisë Kurti 2 gjatë vitit të kaluar.

Sipas saj, kjo marrë parasysh shumicën parlamentare që e kanë, siç tha, të paktën për çështjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, e që janë më në numër.

“Nëse e shohim përmbushjen e agjendës legjislative, nga 115 projektligje që i ka pranuar Kuvendi deri më datën 31 dhjetor të vitit që lamë pas, prej tyre i ka miratuar vetëm 36, që nëse e shohim në përqindje, është 31 përqind e përmbushjes së agjendës legjislative. Ndërsa, në procedurë të shqyrtimit kanë mbetur edhe 79 projektligje. Është e vërtetë që Qeveria i ka miratuar 119 projektligje, mirëpo 9 projektligjet e fundit që i ka miratuar në mbledhjen e fundit të dhjetorit, që është mbajtur më 30 dhjetor, nuk janë proceduar në Kuvend për shkak të aspektit teknik administrativ, që kërkon pranimi i atyre projektligjeve dhe rrjedhimisht nuk kanë hy në numrin e projektligjeve të vitit 2021 dhe barten në këtë vit.” Ka deklaruar Haxhiu në Klan Kosova.

Tutje, Haxhiu tha se puna dhe funksionimi ka qenë më mirë se dy legjislaturat e kaluara, kur ka pas, sipas saj, shumë probleme me kuorumin. Ajo deklaroi se mungesat e deputetëve po vazhdojnë të jenë problem sistematik i punës së kuvendit, që tha se është papërgjegjësi e deputetëve.

“Në vitin 2022, nëse do të ketë sukses, do të ndërmerren disa reforma goxha të rëndësishme, po flasim për ligje. Në mbledhjen e fundit të vitit të kaluar, Qeveria ka miratuar dy projektligje shumë të rëndësishme, që janë projektligji për Qeverinë dhe projektligji për financimin e subjekteve politike, që është një nga kriteret e ERA-s, Agjendës për Reforma Evropiane. Kjo e rregullon mënyrën se si do të bëhet financimi i subjekteve politike, rregullat e brendshme e rregullojnë se si financohen ata, kjo e rritë transparencën e financimit, që ka qenë problematikë që e ka evidentuar edhe Komisioni Evropian. Përpos kësaj kanë filluar edhe hapat e parë për reformën zgjedhore”, ka thënë Haxhiu.

Në këtë legjislaturë, opozita ka treguar një rol më konstruktiv, krahasuar me dy legjislaturat e kaluara.

Shpërndaje në: