Moratoriumi mori fund: Nga sa shtete do të njihet dhe në sa organizata do ta anëtarësojë Kosovën Albin Kurti?

Moratoriumi mori fund: Nga sa shtete do të njihet dhe në sa organizata do ta anëtarësojë Kosovën Albin Kurti?

5 shtatori i së dieles shënoi përfundimin e moratoriumit njëvjeçar mes Kosovës dhe Serbisë që u nënshkrua në Shtëpi të Bardhë e që ndalonte Serbinë së lobuari për tërheqje njohjesh të Kosovës dhe Kosovën së lobuari për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, kryeministri aktual i Kosovës Albin Kurti kishte qenë shumë i ashpër ndaj kësaj pike të marrëveshjes duke e interpretuar edhe si “shkelje të sovranitetit”.

Prej dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, Kosova ka qenë në defanzivë diplomatike pasi Serbia me sukses ka arritur të marrë një varg çnjohjesh nga shtete të ndryshme të botës që më herët e kishin njohur Kosovën.

Sipas diplomacisë serbe, numri i këtyre shteteve që e kanë revokuar qëndrimin njohës për Kosovën shkon deri në njëzet [20], shkruan Periskopi.

Çka ndodhte?

Shtetet që e kanë revokuar njohjen për Kosovën si shtet të pavarur po deklarojnë se ky qëndrim i tyre shtrihet deri në përfundimin e negociatave Beograd-Prishtinë për statusin final të Kosovës.

Kosova dukej të mos kishte strategji diplomatike për të ndaluar këtë proces dëmtues ndërkombëtarisht për Kosovën.

Diplomacia aktuale kosovare po ashtu duket se ka një strategji për të sjellë njohje të reja apo për të ndaluar tërheqjen e njohjeve të reja.

Kosova nuk duket e përgatitur as për të lobuar e aplikuar për anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i shtetit në një deklaratë për Zërin e Amerikës “inkurajonte Kosovën dhe Serbinë që ta vazhdonin moratoriumin”.

“Në mënyrë që të mbështetet suksesi i dialogut dhe përpjekjeve të tjera, ne inkurajojmë të dy palët që të mbajnë moratoriumin e tyre mbi çështjen e njohjeve që komplikon përparimin në fushat teknike”, tha një zëdhënës i DASH-it.

Kujt i shërben moraturiumi?

Nga ajo që po ndodhte deri tash, moraturiumi në fjalë i ka shërbyer më shumë Kosovës që tash e një vit nuk është çnjohur nga asnjë shtet tjetër i botës.

Sidoqoftë, shërbimin më të madh moraturiumi i bën procesit të dialogut që pritet të vazhdojë edhe këtë shtator mes krerëve të lartë shtetërorë, Kurtit e Vuçiqit.

Kosova dhe Serbia nuk e kanë komentuar deri tash fundin e këtij moratoriumi, ndërsa nuk dihet se çfarë po ndodh në procesin dialogues prapa skene.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e fokusuar në njohjen reciproke, e cila hedh themelet për bashkëpunim dhe përparim të qëndrueshëm”, thuhet në deklaratën e DASH-it.

Gjatë një forumi në Bled të Sllovenisë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq deklaroi se nëse Kosova niste kërkesat për anëtarësim në INTERPOL, UNESCO e Këshill të Evropës, vendi i tij do t’i përgjigjej një gjëje të tillë.

Për dallim nga Vuçiq, kryeministri i Kosovës që e kishte kritikuar ashpër këtë moraturium ende nuk e ka thënë asnjë fjalë. Kurti kishte premtuar para zgjedhjeve të 14 shkurtit se do ta vendoste edhe masën e Reciprocitetit, të cilën megjithatë nuk e ka vendosur ende nën pretekstin e një përgatitjeje teknike nga ana e zyrtarëve doganorë. Kritikë të ndryshëm vlerësojnë se e gjithë kjo ka të bëj me procesin e dialogut në Bruksel. /Periskopi

Shpërndaje në: