Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë në Shtëpinë e Bardhë: Latifi përmend dy arsye

Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë në Shtëpinë e Bardhë: Latifi përmend dy arsye

Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë në Shtëpinë e Bardhë ka çuar shumë pluhur në vendin tonë duke ditur marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e veçanërisht me presidentin aktual Joe Biden. Profesori Blerim Latifi ka dhënë mendimin e tij pse kjo ka ndodhur.

Me anë të një shkrimi në profilin e tij në Facebook, profesor Latifi është shprehur se një gjë e tillë mund të lidhet me hezitimin e Qeverisë Kurti për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit e arritur më 4 shtator nga qeveria e kaluar e Avdullah Hotit.

Po ashtu, ai përmend edhe projektin e gazit amerikan si një tjetër arsye për mos-ftesën e vendit tonë.

Kujtojmë që kryeministri Kurti edhe para se të bëhej kryeministër publikisht kishte deklaruar se nuk do ta respektonte Marrëveshjen e Washingtonit, përcjell Periskopi.

“Ne, shpesh, i ngjajmë atij fëmijës i cili duke pasur dashurinë e plotë të babait, nuk mund ta imagjinojë dot se një ditë mund të ndëshkohet prej tij për sherret që i bën herë pas here.” – ka shkruar z. Latifi.

Kujtojmë që Qeveria Kurti megjithatë e ka vendosur ambasadën e Kosovës në Jerusalem, duke njohur politikat që konsiderohen gjerësisht si të papranueshme e okupuese të shtetit të Izraelit. Kjo pikë rrjedhte pikërisht nga Marrëveshja e Washingtonit.

Statusi i plotë:

Vendet me ngjyrë kuqe tregojnë vendet e paftuara në Samitin për Demokraci në Washington.Në mesin e tyre edhe Kosova, bashkë me Serbinë, Bosnjën dhe Hungarinë. Pse?

– Kuptohet mungesa e ftesës për Serbinë lidhet me rolin destruktiv që qeveria e Vuçiqit po e luan në rajon, por edhe me faktin e shndërrimit të Serbisë në një shtet që afirmon interesat ruse në Ballkan. Po ashtu, nën Vuçiqin, Serbia përditë e më shumë po merr tiparet e një regjimi autoritarist, ku, si në Rusi, partia në pushtet i fiton gjithmonë zgjedhjet.

– Mungesa e ftesës për Bosnjën është meritë e krizës së fundit në këtë shtet, pas thirrjeve luftënxitëse të kryetarit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, i cili realisht është shndërruar në një mashë të Putinit në Ballkan dhe po punon hapur në minimin e Marrëveshjes së Daytonit, e cila ishte dhe vazhdon të mbetet investim amerikan.

– Mungesa e ftesës për Hungarinë sigurisht ka të bëj me faktin e rrezikut të rrëshqitjes së Hungarisë nga demokracia liberale në demokraci iliberale, si pasojë e stilit autoritarist të kryeministrit Viktor Orban.

E Kosova? Pse nuk është ftuar?

– Jo për shkaqe që lidhen me sistemin demokratik, por për hezitimet e qeverisë rreth zbatimit të Marrëveshjes së Washingtonit, të shtatorit 2020, dhe refuzimin e projektit amerikan të gazsjellësit.

Ne, shpesh, i ngjajmë atij fëmijës i cili duke pasur dashurinë e plotë të babait, nuk mund ta imagjinojë dot se një ditë mund të ndëshkohet prej tij për sherret që i bën herë pas here.

Shpërndaje në: