Mos ja thuaj këto fjalë çikës tënde. E para: Ti je kurvë

Mos ja thuaj këto fjalë çikës tënde. E para: Ti je kurvë

Kur ndodhin raste që na tronditin, si ky i fundit në Drenas, secili mundohemi të ofrojmë diçka – një mendim, në atë që do të mund të parandalonte një monstruozitet të tillë. Kur lidhet me shkolla, ngarendim të kritikojmë pushtetin/politikën pse ende s’ka pedagogë në shkolla (ose ndoshta janë hequr ata), pse ende nuk ka psikologë në shkolla. Por, çka nëse nesër do të ketë pedagogë e psikologë në shkolla? A do ta përmirësonte kjo situatën. Ndoshta po. Por para se gjithash, rikujtojmë sekretin publik ose josekretin publik, që nëpër shkolla janë drejtorë të lidhur me politikën, me partitë politike. Nëpër shkolla, bile s’mund të fitosh edhe punën leht pa pasur një lidhje me politikën. Do të ishte tepër e mundimshme të risjell në këtë copë shkrimi, të gjitha ato raste që e dëshmojnë këtë. Janë informata leht të qasshme. Me një klik.

Por të kthehemi në temë, në temën tronditëse. Rasti që ka përmasa monstruoze në Drenas, ku një viktimë e përdhunimit seksual kërkon ndihmë në polici dhe aty gjen një përdhunues tjetër, ngre një pyetje tjetër? Ku është familja jonë në këto momente?

Ne jemi rritur me tutën, që siç e lexova në një parullë të protestës për rastin në Drenas, që në familje, ‘shantazhohemi’ në formë të tillë, që në fëmijëri: haje bukën ose e thirri policinë. Rri urt, ose e thirri policinë. Pra, Policia, na ngulet në kokë që në fëmijëri, si një institucion që të jep dajak, nëse e bën të kundërtën e rregullave (nëse nuk ha bukë kur kërkon familja, për shembull).

Ndërkohë, kur ndodhin raste si ky në Drenas, organizojmë protesta (një gjë shumë e mirë), kërkojmë dorëheqje (që është gjë shumë e mirë). Por kujt po ia kërkojmë dorëheqjet? Këtu, dorëheqje nuk janë dhënë, edhe kur është vërtetuar se gruaja është vrarë nga burri, edhe pasiqë e kishte raportuar më herët rastin në Polici. (Megjithatë, kjo s’nënkupton që nuk duhet të vazhdojmë të kërkojmë dorëheqjet).

**

Një farsë tjetër në gjithë këtë llahtari, është thirrja e deputetëve që të protestohej sot.

Kuvendi i Kosovës është vendi ku deputetët patriarkalë sfilojnë haptazi. Është vendi ku deputeti thotë: me qitë allti kur të lindë djali mas 5 çikave, ‘hahet diqysh’. Është vendi, ku deputetët i thonë njëri-tjetrit ‘fol si burrat’ (pra, bëhu burrë, mos u bën grua. Gruaja nuk flet, gruaja nuk ka mendim). Pra, në gjithë këtë diskurs publik, vazhdimisht promovohet fuqia e burrit. Fuqia e burrit në familje dhe parëndësia e fjalës së gruas.

***

Për çka është gruaja?

Përgjigja më shokuese që kam lexuar ndonjëherë: Sipas, mbi 600 komenteve në një lajm të Periskopit, me titull ‘Burri rrah gruan pse ia vonoi çajin’, gruaja është me hëngër dajak nëse e vonon çajin. Komentuesit arsyetojnë rrahjen me pyetjen e tyre: Për çka është gruaja? (Me siguri përgjigjen e kanë kështu: me qitë çaj). E nëse qet, por e vonon? M’e rrehë.

***

Që të mos përsëritet rasti në Drenas, që të mos ketë raste të shpeshta si ai në Drenas, u mbetet prindërve, familjeve, me krejt çka kanë në dorë, të punojnë me fëmijët e tyre.

Çikës t’ia ofrojnë guximin t’u thotë se dikush i ka ngucur seksualisht, pa e marrë kundërpërgjigjen: Le, se edhe ti je një farë kurve. Ke bo diçka ti tek’ t’ka ngucë.

Çikës që e rrehë burri, të mos i kundërpërgjigjemi me: ok, veç e mira është që burrin e ke gjetë vet.

Mos ia humb vetëbesimin çikës tënde. Politikanët, pushtetet, fqinjët bashkë me fjalët e tyre, shkojnë e vijnë. Çika jote të mbetet ty, mbetet me ty. Mos i thuaj: je kurvë.

Shpërndaje në: