Mos-pranimi i vendimit të Gj.Kushtetuese: Çka mund të bëj Lëvizja Vetëvendosje?  

Mos-pranimi i vendimit të Gj.Kushtetuese: Çka mund të bëj Lëvizja Vetëvendosje?  

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar hapur se nuk do ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë presidentit Thaçi mbi dekretin e tij që nominonte mandatarin e LDK-së Avdullah Hotin për kryeministër. Por, çka rrezikon Kosova nga mos-pranimi i vendimit?

Kurti ka deklaruar se në Vetëvendosje janë duke menduar mbi format e angazhimit për të kundërshtuar këtë vendim. Në të njëjtin reagim, ai sulmoi ashpër kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese e kësisoj edhe pushtetin e saj duke e konsideruar edhe këtë institucion të rëndësishëm si “vegël të Thaçit”, ashtu si çdogjë tjetër.

Kosova prej tash e tutje do ta ketë nën sulm institucionin e saj më kredibil, Gjykatën Kushtetuese për shkak të mos-njohjes nga ana e partisë më të madhe, Vetëvendosjes, shkruan Periskopi.

Për të pranuar vendimin kanë bërë thirrje edhe ambasadat ndërkombëtare të shteteve mike të Kosovës, e megjithatë kryetari i Vetëvendosjes vendosi të vepronte ndryshe.

Por, çka rrezikon Kosova nga mos-pranimi i vendimit?

Lëvizja Vetëvendosje mund të organizojë protesta të reja në kundërshtim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo parti politike i ka cilësuar zgjedhjet “të pakuptimta” pas vendimit të këtij institucioni. Një gjë e tillë nënkupton se për partinë më të madhe aktualisht politike në vend, demokracia në vendin tonë nuk ekziston. Një konsideratë e tillë padyshim se nuk do t’i kufizonte mjetet e zgjedhura për të mbajtur pushtetin.

Mos-lëshimi i zyreve

Një mundësi për të ruajtur pushtetin duke mos-respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese është mos-lëshimi  i zyreve të Qeverisë.

Kjo parti politike në këtë rast do ta justifikonte një veprim të tillë duke thënë se “po mbronte vullnetin e popullit” pasi konsideroi se atë e kishte vjedhur Gjykata Kushtetuese me veprimin e tij të fundit.

Lëshimi i zyreve, por okupimi i objektit të Qeverisë nga “populli”

Një mundësi tjetër është edhe lëshimi i zyreve dhe organizimi i protestave nga pozicioni opozitar. Megjithatë, duke pasur parasysh se tashmë janë hequr rrethojat te objekti i Qeverisë, mund të ndodh që protestuesit të futen brenda këtij objekti qeveritar duke e demoluar atë.

Një veprim të tillë kjo parti politike do ta justifikonte duke thënë se “objekti i qeverisë i takon popullit”.

Protesta, vazhdimisht protesta

Në kohë pandemie duket mjaft e rrezikshme të mbahen dhe organizohen protesta. Megjithatë, është e qartë se kjo nuk i shkon ndërmend Vetëvendosjes që madje do ta përdorte mundësinë e protestës dhe shtimin e infektimeve për t’i bërë presion Qeverisë Hoti që të jepte dorëheqje.

Justifikimin tashmë e kemi dëgjuar për test-protestat ku kryeministri Kurti tha se “populli ishte i revoltuar”.

Puç

Natyrisht, nëse konsideron që e drejta absolute konsideron me ty dhe demorkacia nuk ekziston më, dhe se zgjedhjet janë të pakuptimshme, atëherë natyrshëm mundësia e puçit është deridiku reale.

Kjo do të nënkuptonte delegjitimin e plotë dhe mbylljen e të gjitha institucioneve dhe kapjen në dorë të të tjerave në emër të demokracisë dhe popullit.

Zgjedhje dhe institucione të reja paralele

Kosova veçse ka përvojë me zgjedhjet paralele dhe institucionet paralele. Kjo ndodhi edhe gjatë pas-pavarësisë nga serbët e Kosovës që ishin lojalë ndaj Republikës së Serbisë por edhe gjatë viteve ’90 nga vetë shqiptarët të prirë nga Ibrahim Rugova që kundërshtonin institucionet serbe fashiste. /Periskopi

Shpërndaje në: