Motora, turbina, hekra – hekra, teli i bakrit: Pse Kurti e ka pasion t’i flasë popullit me ‘heavy metal’  

Motora, turbina, hekra – hekra, teli i bakrit: Pse Kurti e ka pasion t’i flasë popullit me ‘heavy metal’  

Kryeministri Albin Kurti, shquhet për fjalorin e tij që e karakterizojnë shumë forma letrare si: rimat, antagonizmat, antitezat e forma të tjera letrare e stilistike – që të mos iu hyjmë në punë gjuhëtarëve dhe të ruhemi të mos gabojmë diku. Kurti ditëve të fundit, po bie në vesh për mënyrën se si flet në detaje për problematika energjetike. Fjalori i ngarkuar teknik, metalurgjik, metalik, e dallon Kurtin prej shokëve të tij në Kuvend, që shumica shprehen me një gjuhë mjaft administrative. Por, a është OK ky fjalor për një kryeministër? Nuk e dimë! Nëse e mendojmë qysh ai (kryeministri) vet dikur i është referuar këtij populli – s’po e përmendim këtu se qysh – ky fjalor me terme të stërngarkuara teknike, mund të tingëllojë si….kakofoni :(.

Po hyjmë në temë pak më mirë:

Në prag të zgjedhjeve të 17 tetorit, kryeministri Albin Kurti si kryetar i VV-së, do iu bënte thirrje aktivistëve të partisë së tij, që të votonin kandidatët e kësaj partie për kryetar nëpër komunat ku garonin.

Ajo që do të binte në sy nga videoja e km Kurti, ishte njëfarë fjalori mekanik, i përdorur përballë aktivistëve.

“Aktivist i dashur! Tash që i ke ndezur motorat, ndezi edhe turbinat”, bënte thirrje Kurti.

E kjo fjala e fundit, pra fjala turbinë shumë shpejt do të  kthehej në horror të vërtetë për veshët e qytetarëve të Kosovës.

Kjo pasi që një turbinë e prishur në KEK, do t’i kushtonte vendit mbi 200 mijë euro për tri javë, për ta paguar ekspertin gjerman – i cili do ta mbikëqyrte procesin e rregullimit të turbinës. Prishja e turbinës, sipas Qeverisë, na kthei në reduktime –shpesh disa orëshe – përgjatë disa ditëve.

Eksperti gjerman erdhi në Kosovë më 26 dhjetor dhe sipas kontratës që publikuan mediat, puna e tij do të zgjaste tri javë. Ende nuk dihet a është rregulluar turbina apo jo.

Por, të kthehemi te fjalori i kryeministrit.

Në seancën e fundit, u bë viral fjalimi i tij për ‘filterat në bojlera, bojlerat pa filtera’. Jo ‘rënien e menaxhmentit, po rënien e turbinës’.

Po iu tregojmë lexues të dashur, se vetëm në mediumin tonë Periskopi, një fjalim i tillë është parë hiç më pak se nga 176 mijë njerëz ende pa i mbushur 24 orë.

Ja çka thotë Kurti në seancën dje:

“Lopatat e rrotorit të gjeneratorit në B2 janë coptuar, për shkak se shtypja e ajrit në vend që të jetë 120 bar ka qenë 90 bar edhe avulli ka qenë me lagështi më të madhe edhe i ka copëtu lopatat e vjetëruara. Ka ra turbina. Ata kanë deshtë me instalu filtera, e kanë pa që është llom. Duhet ni herë bojlerat e masandej filtera. Nuk ka filtera pa bojlera. E tash na duhet t’i vendosim edhe bojlerat që t’i vendosim edhe filterat”.

Nejse. Për këtë pasion të kryeministrit për gjithë këto forma letrare, ne do të provojmë të flasim ditëve në vijim me ndonjë person më kompetent, gjuhëtar për shembull. Ose njohës të të folurës publike.

Por, më epikja, ne mendojmë se mbetet kjo:

p.s. Heavy metal, termi në titullin tonë është term që përdoret për zhanrin më të zhurmshëm të muzikës rock./Dafina Demaku/Periskopi/ 

 

Shpërndaje në: