MPJ e Austrisë për incidentet në veri: Zgjidhja qëndron në negociata, jo në dhunë

MPJ e Austrisë për incidentet në veri: Zgjidhja qëndron në negociata, jo në dhunë

Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë ka reaguar sot rreth zhvillimeve në veri të Kosovës.

Në një postim në Twitter, MPJ e Austrisë ka dënuar ashpër incidentet e mbrëmshme në Kosovë dhe ka kërkuar nga të gjitha palët përmbajtje nga hapat përçarës dhe kërcënimet.

“Ne dënojmë ashpër incidentet e mbrëmshme në Kosovë. Zgjidhja e çështjeve të hapura qëndron në negociata, jo në dhunë. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga hapat përçarës dhe kërcënimet. Dialogu i lehtësuar nga BE është mënyra e vetme për një të ardhme paqësore dhe integrim në BE”, thuhet në reagim.

Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat. Dy incidente u shënuan dje, kur autoritetet njoftuan se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Shpërndaje në: