MPJD-ja tregon për gjendjen e personave të lënduar në aksidentin në Vjenë

MPJD-ja tregon për gjendjen e personave të lënduar në aksidentin në Vjenë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, është informuar mëngjesin e sotëm për një aksident trafiku të autobusit që po barte udhëtarë kosovarë drejt shtetit të Austrisë.

“Ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke ofruar mbështetjen e ambasadës tonë për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre. Në Spitalin e Salzburgut, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, dhe pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

MPJ, thotë Ambasada e Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore dhe shëndetësore në Salzburg, dhe do të dalë me një njoftim më të detajuar sapo të pranoj informatat zyrtare.

“Deri në këtë fazë mund të konfirmojmë se nuk ka asnjë viktimë, dhe shtatë nga tetë personat që kanë pësuar lëndime, janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

MPJD do t’ju mbajë të përditësuar në vazhdimësi për rastin”, shtoi tutje MPJD.

Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 në një autostradë nga Salzburgu në drejtim të Vjenës. Autobusi me rreth 25 pasagjerë, me gjasë, është përplasur në mbrojtësen prej betoni të autostradës, por shkaqet e aksidentit ende janë të paqarta, tha zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber./Periskopi/

Shpërndaje në: