Mposhtëm al Qaedan, e zhdukëm ISIS-in – Por nuk dimë kujt t’i besojmë më

Mposhtëm al Qaedan, e zhdukëm ISIS-in – Por nuk dimë kujt t’i besojmë më

Bota së pari dëgjoi për ne, Forcat Demokratike Siriane [FDS], gjatë kaosit të luftës civile në vendin tonë [Siri]. Unë shërbej si komandat suprem. FDS-ja ka më shumë se 70 mijë ushtarë  që kanë luftuar kundër ekstremizmit xhihadist, urrejtjes etnike, dhe shtypjes së grave që nga viti 2015. Ushtarët e mi janë bërë shumë të disiplinuar e profesionistë. Kurrë s’e kanë gjuajtur asnjë plumb të vetëm kundër Turqisë. Ushtarët dhe zyrtarët amerikanë na njohin mirë dhe e kanë lavdëruar gjithnjë efektivitetin dhe zotësinë tonë.

Gjithnjë iu kam thënë forcave tona, lufta është e jona! Terroristët xhihadistë të Shtetit Islamik [ISIS] erdhën në Siri nga e mbarë bota. Ne jemi ata që duhet t’i luftojmë, sepse na i okupuan tokat, plaçkitën fshatrat tona, na i vranë fëmijët, na i robëruan gratë.

I humbëm 11 mijë ushtarë, disa prej të cilëve ishin më të mirët komandantë e luftëtarë, që të shpëtonim njerëzit tanë nga ky rrezik i madh. Gjithnjë iu kam thënë forcave tona se amerikanët dhe forcat tjera aleate janë partnerët tanë, dhe duhet gjithnjë të sigurohemi që ata nuk do të preken.

Mes kaosit të luftës, ne gjithnjë iu përmbajtëm etikës dhe disiplinës sonë, për dallim nga shumë aktorë të tjerë jo-shtetërorë. E mposhtëm al Qaedan, ne e zhdukëm ISIS-in, dhe, në të njëjtën kohë, e ndërtuam një sistem të qeverisjes së mirë të bazuar në qeveri të vogël, pluralizëm dhe diversitet. Ofruam shërbime përmes autoriteteve të qeverisjes lokale për arabët, kurdët dhe të krishterët sirianë. Ne bëmë thirrje për një identitet kombëtar plural sirian që do t’i përfshinte të gjithë brenda. Ky është vizioni ynë për të ardhmen politike të Sirisë: federalizëm të decentralizuar, me liri fetare dhe respekt për dallimet kulturore.

Forcat që unë komandoj janë tashmë të dedikuara në mbrojtjen e një të tretës së Sirisë kundër invazionit të Turqisë dhe mercenarëve të saj xhihadistë. Zona e Sirisë që mbrojmë ka qenë e sigurt për refugjatët e për njerëzit që i mbijetuan gjenocidit dhe spastrimit etnik të kryer nga Turqia kundër kurdëve, siriakëve, asirianëve dhe armenëve gjatë dy shekujve të fundit.

Ne i ruajmë më shumë se 12 mijë të burgosur terroristë të ISIS-it dhe bartim barrën e grave dhe fëmijëve të tyre të radikalizuar. Ne po ashtu mbrojmë këtë pjesë të Sirisë nga milicët iranianë.

Kur e gjithë bota dështoi të na mbështeste, Shtetet e Bashkuara na i zgjatën duart. Ne i morëm dorën dhe e vlerësuam atë mbështetje gjeneroze prej tyre. Me kërkesën e Washingtonit, ne u pajtuam të hiqnim armët tona të rënda nga zona kufitare me Turqinë, të shkatërronim fortifikimet tona mbrojtëse, dhe t’i largonim luftëtarët më të mirë. Turqia kurrë nuk do të na sulmonte nëse qeveria amerikane do ta mbante fjalën ndaj nesh.

Ne tash po rrimë me gjoksin përpara thikave turke.

Presidenti Donald Trump ka premtuar për kohë të gjatë tërheqje të trupave amerikane. Ne e kuptojmë e e mirëkuptojmë këtë gjë. Baballarët duan t’i shohin fëmijët duke qeshur në prehrin e tyre, t’i shohin të dashurat derisa iu pëshpëritin fjalë, çdokush dëshiron të kthehet në shtëpi.

Ne, megjithatë, nuk po kërkojmë që ushtarakët amerikanë të jenë në fushë të betejës. Ne e dimë që Shtetet e Bashkuara nuk janë policia e botës. Por ne duam që Shtetet e Bashkuara ta pranojnë rolin e rëndësishëm për arritjen e një zgjidhjeje politike për Sirinë. Ne jemi të sigurt që Washingoni ka mundësi të ndërmjetësojë një paqe të qëndrueshme mes nesh dhe Turqisë.

Ne besojmë te demokracia si një koncept thelbësor, por për shkak të invazionit turk dhe kërcënimit ekzistencial që pozon ai për popullin tonë, na duhet të rikonsiderojmë aleancat. Rusët dhe regjimi sirian kanë bërë propozime që mund të shpëtojnë jetën e miliona njerëzve që jetojnë nën mbrojtjen tonë. Nuk iu besojmë premtimeve të tyre. Që të jemi të sinqertë, është e zorshme ta dimë se kujt mund t’i besojmë.

Shkrimi është marrë nga Foreign Policy, dhe është përkthyer e përshtatur nga Periskopi.

Shpërndaje në: