MSH-ja nuk po licencon tre mjekët italianë që fëmijët të operohen në Prishtinë

MSH-ja nuk po licencon tre mjekët italianë që fëmijët të operohen në Prishtinë

Tre mjekë italianë nuk kanë arritur të marrin ende licencën për të filluar me operacionet e fëmijëve në Kosovë që vuajnë nga sëmundjet e lindura të zemrës. Projekti është prezantuar në korrik të vitit të kaluar për hapjen e një spitali të kardiokirurgjisë pediatrike nga “Italian Medical Group”.

Me të synohej që për herë të parë të mund të operohen fëmijët që vuajnë nga kjo anomali. Megjithatë, një gjë e tillë po pamundësohet për shkak të barrierave administrative për investime në vendin tonë.

Si investitor i vetëm nga Zvicra për këtë projekt, ai shprehet i zhgënjyer me institucionet kosovare. Besnik Abazi, i cili është specialist i psikiatrisë dhe pronar i Poliklinikës psikiatrike “Rufsteinweg GmbH”, në Liestal të kantonit Bazeland të Zvicrës, thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk po licencon tre mjekët italianë të specializuar.

“Është mëkat jo vetëm për shëndetësinë kosovare por për fëmijët të cilët presin me padurim për operacion, prindërit e atyre fëmijëve që presin për shërim të tyre. Kjo është për t’u çuditur se si institucionet tona, konkretisht Ministria e Shëndetësisë në bazë të vendimit apo kryeneçësisë të një zyrtarja që mos të lejohet një projekt i rëndësisë aq i madh dhe të ecë më tutje”, deklaron ai.

Ai është i vetmi investitorë i këtij projekti dhe deri më tani thotë se ka dhënë gjysmë milion euro në Prishtinë, ku edhe është reparti i gatshëm për të filluar me punë.

“Investimi im në Kosovë është që të hapet kardiokirurgjia pediatrike italiane në Prishtinë. Duke u nisur nga fakti se në Kosovë se ka kardiokirurgë pediatrikë, mjekë, kirurgë që operojnë zemrën për fëmijët e lindur me defekte të zemrës në Kosovë. Sot e kësaj dite dërgohen në Stamboll, Beograd, Itali. Në vende tjera të Evropës për shërim. Nuk ka në Kosovë fare profil të Kardiokirurgjisë pediatrike. Ne jemi në gjendje që profesorë, mjekë italianë t’i sjellim në Prishtinë, pasi që e kemi hapur repartin e Kardiokirurgjisë pediatrike, mirëpo licencimin e mjekëve specialistë, kirurgëve italianë nuk po na lejohet nga Ministria e Shëndetësisë për shkaqe të obstruksioneve administrative nga një person i caktuar i cili është përgjegjës për licencim”, ka thënë ai.

Për tri herë radhazi, ai thotë se kërkesat e tre mjekëve italianë për licencim nuk po realizohen.

“Personi në fjalë që është përgjegjës për këtë gjithnjë nguron që duhet të licencohen në mënyrë të përkohshme këta mjekë. Por këta mjekë e kanë bërë kërkesën individuale dhe nuk ka lidhje me licencim të përkohshëm. Mjekët tanë italianë kërkojnë licencim të qëndrueshëm dhe jo vetëm gjashtë mujor”, shprehet ai.

Për këtë kanë pasur takime të shumta, por që ende nuk po arrijnë të ndihmojnë fëmijët në Kosovë.

“Angazhimi deri më tani ka qenë zero. Ministri Vitia asnjëherë nuk e ka marrë kërkesat tona seriozisht, asnjëherë nuk është përgjigjur në telefonatat tona, me email-at tona. Sipas ligjit një udhëzimi administrativ që është edhe në fuqi në MSH 102011, u mundëson mjekëve jo-kosovarë licencimin dhe barazë-vlerësimin. Të njëjtën gjë e kanë bërë mjekët tanë, të cilët që tre herë po refuzohen. E vetmja gjë që na mbetet janë rrugët gjyqësore”, ka shtuar ai.

Për këtë ka kritika të ashpra edhe vet drejtoresha gjenerale e “Italian Medical Group sh.p.k”, Angelica Korica.

Ajo deklaron për KosovaPress, se është e zhgënjyer dhe ajo çfarë po ndodhë është skandal.

Shpërndaje në: