Muhaxhiri: Ndryshe nga e kaluara, dialogu në bllokadë totale

Muhaxhiri: Ndryshe nga e kaluara, dialogu në bllokadë totale

Dialogu Kosovë – Serbi në Bruksel është në bllokadë totale. Palët në bisedime nuk kanë arritur të gjejnë pajtim as për çështje teknike, siç është ajo e targave, gjë e cila ka bërë që takimi ndërmjet liderëve Kurti e Vuçiq të mos shihet në perspektivë.

Njohësi i zhvillimeve në vend, Artan Muhaxhiri ka thënë se mbase në të kaluarën pas çdo bllokade të ketë një marrëveshje në mënyrë që të jetë një lloj shprese për të vazhduar me dialog, por sipas tij kësaj radhe ekzisotn një bllokadë totale.

“Ndonjëherë më mirë është të mos ketë dialog fare sesa të ketë dialog pa efekte sepse humbet logjika e të bërit dialog. Pra, është krejtësisht e çuditshme kjo mungesë e vullnetit nga të dyja palët, për një çështje e cila është po thuajse teknike dhe vetëm mund të paramendohet se sa shumë punë e angazhim do të duhet për t’u arritur ndonjë marrëveshje më e madhe apo për t’u përafruar drejt marrëveshjes finale”, ka theksuar Muhaxhiri në emisionin “Imazh i ditës” në RTK.

Sipas tij aktualisht nuk ekziston dikush që mund të presë që gjatë këtij viti të ketë ndonjë zhvillim më të hovshëm në dialogun e Brukselit.

“Për fat të keq do të duhet të presim deri në vitin e ardhshëm. Mirëpo,  kjo vazhdimësi është negative për qytetarët e Kosovës sepse i gjithë avancimi evropian varet prej dialogut në Bruksel. Edhe aletatët tanë janë duke insistuar fuqishëm në dialog. Pa dialog nuk ka asnjë zhvillim e përparim. Për fat të keq bllokada ekziston dhe nuk e di se si do të vazhdojë tutje – ose duhet një riformatim i plotë dialogut, për çka nuk ka indikacione nga BE-ja ose të ndërpritet krejtësisht ky dialog zyrtarisht, sepse nuk ka logjikë të shkohet në tavolinë dhe të mos ketë pajtim as për çështje që më shumë janë teknike”, ka shtuar Muhaxhiri.

Ai ka thënë se situata midis Kosovës dhe Serbisë është komplekse por duhet të ketë një vullnet dhe guxim që të shkohet përpara, por që aktualisht kjo nuk po shihet nga palët në dialog.

“Problemi mes Kosovës dhe Serbisë është shekullor dhe historik, ka luftëra, ka me mijëra viktima, pra nuk është një konflikt i thjesht, nuk është një bllokadë e thjeshtë dhe nuk pajtohem me kryeministrin Kurti që tenton ta thjeshtësojë atë, për vetë faktin se jemi në këtë nivel atëherë situata është jashtëzakonisht komplekse. Po të ishte aq e thjeshtë, atëherë dikush nga liderët e kaluar do ta zgjidhte, por është shumë komplekse ka shumë interesa. Jo vetëm interesi i Kosovës dhe Serbisë, por interesi i Evropës, SHBA-së dhe Rusisë, pra është një mozaik me interesa dhe përderisa të mos harmonizohen këto, është vështirë të shkohet përpara”, është shprehur tutje Muhaxhiri.

Ai ka thënë se përderisa dialogu të jetë i bllokuar edhe çështja e liberalizimit të vizave, edhe avancimi i perspektivës evropiane, por edhe ndonjë fond i madh do të jetë i bllokuar sepse këto janë të kushtëzuara me përparimin në dialog.

Shpërndaje në: