Mungesa e buxhetit zvarrit marrëveshjen për reciprocitet me targat

Mungesa e buxhetit zvarrit marrëveshjen për reciprocitet me targat

Janë bërë dhjetë muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë për targat, e cila vendos parimin e reciprocitetit në tabelat e automjeteve të Serbisë. Kjo marrëveshje do duhej të niste në nëntor, por është zvarritur. Ministria e Punëve të Brendshme tek tani e ka shpallur kompaninë fituese për furnizim me letër ngjitës në tabela. Një prej problemeve këtë zvarritje është edhe mungesa e buxhetit.

Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur kompaninë fituese për furnizim emergjent me letërngjitëse për targat e automjeteve, duke hapë kështu mundësinë e fillimit të zbatimit të marrëveshjes për targat me Serbinë. Mungesa e këtyre e letër ngjitësve e ka shtyrë gati për një vit zbatimin e kësaj marrëveshje.

Kohëve të fundit, pengesë është bërë edhe mos rishikimi i buxhetit, si rezultat i prishjes së koalicionit PDK-LDK dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Shqetësimin për këtë e ka shprehur në mbledhjen e Qeverisë edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila madje ka akuzuar Ministrinë e Financave për bllokim.

“Ministria e Financave ka bllokuar, nuk e ka financuar asnjëherë Ministrinë e Brendshme për zbatimin e marrëveshjes për reciprocitet në tabela, dhe se MPB ka gjetur përkohësisht buxhet përmes rialokimeve të brendshme. Por Ministria e Financave asnjëherë nuk është përgjigjur pozitivisht”, ka thënë Tahiri, raporton televizioni publik.
Vetë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në mbledhjen e Qeverisë ditë më parë tha se kjo çështje është në proces të sqarimit. Ndërsa ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, mohoi të jetë ai bllokues.

“Për qartësim të ministres për Dialog, unë nuk e bllokoj asnjë punë, vetëm e zbatoj buxhetin ashtu siç është miratuar dhe për çdo vendim që marr unë e sjelli në Qeveri”, tha Hoti.

Përveç çështjes së targave, edhe funksionalizimi i zyrave të gjendjes civile në veri ka ngecur për shkak të buxhetit, përkatësisht rishikimit të buxhetit për vitin 2017, që ka ardhur si rezultat i zhvillimeve politike, shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të parakohshme nacionale.

Analisti, Imer Mushkolaj, këtë e quan sjellje banale të institucioneve.

“Zhvillimet politike shpesh kalojnë në banalitet sa përnjëmend është e pafalshme që për shkak të qasjes banale të mbesin pa u zbatuar marrëveshje të rëndësishme edhe në raport me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por të mbesin pa u miratuar edhe ligje që afektojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Marrëveshja për reciprocitet në tabela është nënshkruar në shtator të vitit të kaluar dhe do duhej të niste së zbatuari në nëntor. Mirëpo tek në qershor të këtij viti kanë nisur procedurat e tenderimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, për blerjen e letrave ngjitëse që do të vendosen në tabelat e veturave që vijnë nga Serbia.

 

Shpërndaje në: