Murati: Taksë progresive për të pasurit – jo, shtrenjtim të rrymës për shtresën e mesme

Murati: Taksë progresive për të pasurit – jo, shtrenjtim të rrymës për shtresën e mesme

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar ndaj paralajmërimit të sotëm të Qeverisë sa i përket propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të tarifave të rrymës elektrike.

Murati e ka kundërshtuar një propozim të tillë nga ZRE për rritjen e tarifave sepse sipas tij kjo e dëmton më së shumti shtresën e mesme, përcjell Periskopi.

“Taksë progresive për të pasurit – jo, shtrenjtim të rrymës për shtresën e mesme! Ky shtrenjtimi i energjisë elektrike për një pjesë të popullsisë (që shpenzon më shumë se 600KWh) po i përngjan instrumentit të taksës progresive për ata që fitojnë më shumë kanë tatime më të larta”, ka shkruar ai.

Ai ndër të tjera ka thënë se kjo jo vetëm që nuk është një politikë e drejtë (e as e majtë), por një diskriminim i hapur i një shtrese që qeveria llogaritë se edhe reagimin mund ta ketë më të dobët.

Më poshtë keni postimin e plotë |pa ndërprerje| të z. Murati:

Taksë progresive për të pasurit – jo, shtrenjtim të rrymës për shtresën e mesme!

Ky shtrenjtimi i energjisë elektrike për një pjesë të popullsisë (që shpenzon më shumë se 600KWh) po i përngjan instrumentit të taksës progresive për ata që fitojnë më shumë kanë tatime më të larta. Veç në rastin e fundit, jashtë debatit ideologjik dhe ndikimit në zhvillimin ekonomik e shpërndarjen më të barabartë të fitimit, për një gjë të gjithë pajtohen, ata që tatohen me tatimin progresiv vërtet janë më të pasur. Në rastin tonë, kjo nuk është e vërtetë, sepse ata që harxhojnë më shumë se 600 KWh, nuk e bëjnë këtë ngaqë janë më të pasur dhe rrjedhimisht harxhojnë energji elektrike se bëjnë jetë luksi, por ngase shumica e tyre, që i takojnë kryesisht shtresës së mesme (të brishtë në kontekstin kosovar), nuk kanë mundësi tjetër (ta zëmë nuk e kanë pasur fatin në Prishtinë të kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore ende). Dhe nëse vërtet ka qenë e domosdoshme ngritja e çmimit të energjisë elektrike në planin afatshkurtër për shkak të mungesës së saj në tregun botëror, shpërndarja e kësaj barre në më shumë qytetarë por edhe biznese ka qenë më e drejtë. Por si duket qeveria e ka zgjedhur rrugën më të lehtë (gjithmonë duke e vështruar edhe këtë problematikë me një sy elektoral) dhe të ngarkojë më shumë një pjesë të popullsisë (deri në 30%) e jo të gjithë duke llogaritur në një reagim më të vogël në këtë rast. Por kjo jo vetëm që nuk është një politikë e drejtë (e as e majtë), por një diskriminim i hapur i një shtrese që qeveria llogaritë se edhe reagimin mund ta ketë më të dobët./Periskopi.com/

 

Shpërndaje në: