Murati: Varrosja e idesë së kufijve nënkupton varrosjen e bashkimit të shqiptarëve nga Presheva me Kosovën

Murati: Varrosja e idesë së kufijve nënkupton varrosjen e bashkimit të shqiptarëve nga Presheva me Kosovën

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka folur për publikimin e fotografisë nga deputetja Flora Brovina, e cila pretendonte se aty ishte një grua nga Kosova, e cila po dhunohej nga ushtarët serbë gjatë luftës së fundit – raporton Periskopi.

Murati ka thënë se fotografi të tilla duhet të paraqiten në Prokurorinë e Shtetit, jo para medieve siç bëri deputetja Brovina.

Tutje, Murati ka thënë se nuk duhet dhënë hapësirë Serbisë për amnisti dhe çuarjen në dëm të gjithë punës që është bërë për grumbullimin e fakteve për dëshmimin e dhunës seksuale që është ushtruar nga ushtarët serbë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në Rrokum TV, Murati ka folur edhe për çështjen e dialogut dhe Samitin e Berlinit që u mbajt javë më parë.

“Në Berlin u bë një përpjekje që temat që kanë të bëjnë me Ballkanin, mos me u bë pjesë e fushatave për zgjedhjet në BE”, tha ai.

“Merkel dhe Macron nuk pajtohen në të gjitha çështjet se si duhet me qenë marrëveshja Kosovë-Serbi, ani pse pajtohen që dialogu duhet të vazhdojë. Nuk duhet të presim që të mund të ketë marrëveshje mes dy vendeve pa garantimin e SHVA’ve”, deklaroi ai tutje.

Murati tutje tha se SHBA ka lejuar që të hapet ideja për ridefinimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ide e cila beson se nuk është varrosur as pas Samitit të Berlinit.

“Në bisedime me Serbinë na kanë mbetur dy probleme, për çështjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, dhe për serbet në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Këto dy çështje duhet të trajtohen me reciprocitet sa i përket të drejtave të tyre deri aty që me u deklarua për bashkim me Kosovë, përkatësisht bashkim me Serbinë të këtyre tri komunave veriore, por pa u futur aty edhe pjesa veriore e Mitrovicës, ku do të duhej të ktheheshin shqiptarët që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre”, deklaroi Murati.

“Pa ndodh kjo, Kosova nuk mundet me u bë shtet funksional, sepse na trashëgojmë kushtetutën qe del nga Pako e Ahtisaarit, e cila ju jep të drejta të mëdha pakicës serbe, dhe kështu Kosova mbet peng i politikave të Beogradit”, thekson ma tutje ai.

https://www.youtube.com/watch?v=jvMncwCWqdM

Shpërndaje në: