Murin në Mitrovicë e ndërtoi dobësia e qeverisë Mustafa në raport me Serbinë

Murin në Mitrovicë e ndërtoi dobësia e qeverisë Mustafa në raport me Serbinë

Kështu ka thënë në një intervistë për Periskopi.com, kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ai potencon se marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk janë transparente për publikun, nuk dihet çfarë përmbajnë dhe sipas tij kjo mos transparencë krijon hapësirë për të dyshuar  se çfarë në të vërtetë po i kurdis Kosovës, qeveria Mustafa, si vazhdimësi e qeverisë Thaçi.

Sa i përket lidhshmërisë së sulmeve nga mediat serbe ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, me siç thotë ai sulme të kryeministrit,  Lekaj thekson se  në vazhdimësi, kryeministri natën, nëpër terr përmes profilit të Facebook-ut, por edhe përmes eksponentëve, ka sulmuar personalitetin e e kryetarit të AAK-së.

Lekaj, gjithashtu ka folur edhe për takimin e kryeministrit, Isa Mustafa me homologun e  tij malazez, Millo Gjujanoviç, për raportet me partitë opozitare si dhe ka folur nëse AAK-ja do të pranonte të bënte koalicion me njërën nga partitë në pushtet.

Intervista e plotë:

Periskopi: Ditë më parë një portal ka raportuar që AAK-ja është pajtuar me versionin aktual të demarkcionit dhe do ta votojë atë. A ka diçka të vërtetë në këto raportime?

Lekaj: Siç ka raportuar portali në fjalë, pa burime dhe mbështetje në të vërtetën, ashtu edhe është shpifja se ka diçka në këtë drejtim. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, çdo herë ka qenë transparente dhe e hapur në çdo rast e për çdo temë, e po të kishte diçka në këtë drejtim, njëjtë do ta bënim edhe në këtë rast. Asnjëherë nuk jemi fsheh pas askujt për t’i treguar të vërtetën popullit. E vërteta është se demarkacioni, në versionin çfarë është tani, është i papranueshëm sepse është i dëmshëm për territorin e Kosovës. Vazhdojmë të kemi të njëjtin mendim dhe qëndrim për demarkacionin deri sa nuk ka lëvizje pozitive në këtë drejtim, që nënkupton, kthimi në pikën zero, shkarkimin e Komisionit Shtetëror të Demarkacionit dhe një rivlerësim total të situatës.

Periskopi: Kryeministri, Isa Mustafa ka zhvilluar një takim të paparalajmëruar me homologun e tij nga Mali i Zi. Si e komentoni këtë takim, kur dihet se demarkcioni me Malin e Zi është tema më e diskutuar dhe që po ngjallë pakënaqësi?

Lekaj: Ne me Malin e Zi, si shtet fqinj, nuk kemi telashe. Demarkacioni është një temë e cila duhet të gjejë zgjidhje për hirë të interesave ndër shtetërore tonat dhe në raport me BE’n, por asesi që të bëjmë diçka që shkon në dëm të Kosovës, integritetit territorial të saj. Kryeministri, siç zakonisht kanë bërë të gjitha qeveritë që nga shpallja e pavarësisë, nuk ka bërë transparente asgjë për këtë takim, jemi në dijeni vetëm aq sa kanë transmetuar mediat. Dinamika e kryeministrit në të gjitha drejtimet, duke e përfshirë edhe temën e demarkacionit, nuk del jashtë kornizave të moshës së tij, prandaj kemi shumë ngecje, vonesa të cilat direkt ndikojnë në zhvillimin e Kosovës.

Periksopi: Tani ka lindur edhe një problem për Kosovën, ai i murit mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Sipas jush çka e solli këtë problem dhe si e shihni fundin e kësaj pune?

Lekaj: Kishim një takim të Komisionit për Punë të Jashtme, anëtarë i të cilit jam, me vetëm këtë pikë të rendit të ditës. Personalisht jam angazhuar që të kemi edhe një takim të jashtëzakonshëm të komisionit por kam insistuar që të kemi seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, por që mungojë interesimi i partive në pushtet por edhe i disave nga opozita, përjashto Nisma-n. Ne, si Grup Parlamentar, tani kemi iniciuar procedurat për interpelancë me kryeministrin për këtë temë, tani i mbetët kryesisë të vendos, por ne insistojmë që kjo të ndodhë. Për t’u kthyer me konkretisht në pyetjen tuaj. E kemi thënë në vazhdimësi se këto barrikada, siç edhe muri së fundmi, sepse të tillë e konsiderojmë, janë si pasojë e dobësive të shfaqura nga qeveria jonë në raport me qeverinë e Serbisë, janë shumë defensive veprimet tona. Marrëveshjet nuk janë transparente për publikun, nuk dijmë çfarë përmbajnë dhe kjo mos transparencë na bënë me dyshu se çfarë në të vërtetë po i kurdis qeveria Mustafa, si vazhdimësi e qeverisë Thaçi, Kosovës.

 

Periskopi: Mediat serbe kanë  sulmuar  kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.  Ju keni thënë se këto sulme nuk janë rastësi pasi kanë ndodhur në të njëjtën kohë me siç i keni quajtuar ju sulme nga kryeministri Isa Mustafa. Pse kjo lidhje?

Lekaj: Po siç thuhet nga populli, armiku ngreh topat për kalatë e pathyeshme. Aleancat ndodhin për të sulmuar nga të gjitha anët, njerëzit që nuk thyhen dot. Z.Haradinaj ka qenë është dhe do të jetë i pathyeshëm kur është në pyetje interesi i Kosovës, ketë e ka dëshmuar në çdo etapë kohore. Ju, por edhe opinioni i gjerë, e dini se, në vazhdimësi, kryeministri natën, nëpër terr përmes profilit të Facebook-ut, por edhe përmes eksponentëve, ka sulmuar personalitetin e z.Haradinaj dhe çdo herë (nuk mund të jetë koincidencë) kanë qenë të sinkronizuara, ose më individ a media serbe, apo ka pasë edhe deklarata të ulëta e pa asnjë bazë për media ndërkombëtare nga njerëz të kryeministrit. Pra e gjithë kjo bëhet për të heqë vëmendjen nga situata e rënduar në vend, për dëmet e vërteta që kjo qeveri është duke ia shkaktuar Kosovës. Ramush Haradinaj është i pastër në mbrojtje të Kosovës dhe është në krahë të perëndimit kundër terrorizmit, s’ka asgjë të vërtetë as nga njëra e as nga pala tjetër, çka shpifin, si brenda Kosovës, si jashtë saj.

Periskopi: Si qëndrojnë raportet e AAK-së me AKR-në?

Lekaj: Raportet e opozitës, si brenda opozitës parlamentare, poashtu edhe me partitë që nuk kanë arritur me hy në parlament janë gjithmonë raporte komunikimi për të ofruar diçka ndryshe. Pra vetvetiu si parti opozitare që jemi, tani për tani, në bazë të detyrës, komunikojmë dhe zhvillojmë ide si është e mundshme me ndodhë qeverisja, zhvillimi, me një fjalë, si me e ba Kosovën të plotë, në ketë kuptim jemi në komunikim edhe me AKR-në, ende nuk kemi diçka konkrete por jemi në rrugë të mirë për bashkëpunim në të ardhmen.

Periksopi: Çfarë raporte ka AAK-ja me ish-partnerin e bllokut opozitar, Lëvizjen Vetëvendosje?

Lekaj: Siç e thash edhe me lartë, na takon, si opozitë të jemi në komunikim për të dhënë vlerësimet tona për zhvillimet në vend dhe për të parë mundësitë edhe për ndonjë bashkëpunim kur është e nevojshme, pse jo. Por bashkëpunim të çdo hershëm dhe reciprok kemi më Nisma-n si partnerë i boshtit opozitarë.

Periskopi: A mund të pritet ndonjëherë një koalicion i AAK-së me njërën nga partitë në pushtet?

Lekaj: Po në këtë drejtim, paraprakisht, duhet të ndodhin zgjedhjet sa ma parë që të jetë e mundur, sepse kështu siç jemi sot, Kosova është vetëm në stagnim minus, pra jo vetëm ndaljen, por po ecim mbrapa, përderisa vendet e tjera të rajonit po përparojnë drejtë integrimeve euroatlantike. AAK, në bazë të vlerësimit qytetarë që do të marrë pastaj edhe do të tentojmë t’i materializojm idetë tona në të mirë të qytetarëve dhe rritjes së standardit të tyre. Ne po angazhohemi që Kosovës t’ia mundësojmë një ndryshim të plotë, pra që të dalim fitues të zgjedhjeve, pastaj nëse kjo ndodhë do të jetë më lehtë për Kosovën po edhe për neve.

 

Shpërndaje në: