Mustafa flet kundër korrupsionit, por djalit te vet i kishte dhënë tender kur ishte kryeministër

Mustafa flet kundër korrupsionit, por djalit te vet i kishte dhënë tender kur ishte kryeministër

Edhe “Reuters” kishte raportuar në vitin 2015 për tenderin e servisimit të veturave BMW, të cilin Isa Mustafa ia kishte dhënë djalit të tij, Besnikut. Kritikën më të madhe për këtë e kishte marrë nga tashmë përkrahësi i tij, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili atë kohë në objektin e Qeverisë kishte shkuar parullën “Djemve tenderët, Serbisë zajednicën”, raporton Periskopi.

Sot, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa u mundua të kritikonte të gjitha pushtetet që qeverisën në Kosovë, duke e harruar kohën kur ai ishte kryeministër.

Dhënia e tenderit për servisimin e veturës së tipit BMW, nuk iu duk punë e madhe as atëherë Isa  Mustafës, gjë të cilën sot nuk e futi në listën e skandaleve që i përmendi.

Madje atëherë ai pati akuzuar gazetarët që një gjë të tillë e bënë lajm.

“Po lexoj se një makine BMW, qenka servisuar nje nje servis qe e menaxhon djali im Besniku, nje vlere rreth 2,900 euro. Nuk e kam ditur per kete, por nuk shoh asgje te keqe qe automjeti te servisohet ne nje servis te autorizuar. Shoh marri e budallallek qe kjo te behet lajm, sepse nuk eshte lajm nese disa mjeshter punojne dhe e rregullojne nje makine. Lajm i keq per neve eshte etja qe te skandalizohen dhe te kriminalizohen ata qe punojne”, pati shkruar Mustafa në Facebook, transmeton Periskopi.

Kompania Makcar, ku Besniku është pronarë bashkë me vëllain e tij Arbenin, fitoi kontratë pikërisht nga Zyra e Kryeministrit e udhëhequr nga prindi i tyre-atëherë kryeministri Mustafa.

Zyra e Kryeministrit shpalli fitues këtë kompani më 21 korrik 2015. Gjashtë ditë më vonë, më 27 korrik 2015 u nënshkrua kontrata mes Makcar dhe Zyrës së Kryeministrit.

Bazuar në Njoftimin për Dhënie Kontrate të publikuar nga Zyra e Kryeministrit oferta e kësaj kompanie në tenderin për servisimin e automjeteve kishte vlerën e 2 mijë e 946 eurosh.

Person kontaktues për këtë kontratë ishte Besnik Mustafa, djali i Isa Mustafës.

Ky ishte njëri nga skandalet që e karakterizoi qeverisjen Mustafa, i cili do të sillte pasoja nëse do të ndodhte në ndonjë vend tjetër.

Ka plot raste nëpër botë kur ministrat kanë dhënë dorëheqje vetëm edhe për një deklarim jo korrekt e që është quajtur fyes.

Këto janë disa nga rastet më interesante ku zyrtarët kishin dhënë dorëheqje për shkelje të ndonjë rregulli:

Viti 2014, Angli

Ministri britanik i Emigracionit, Mark Harper, ka dhënë dorëheqje pasi u kuptoi se ka punësuar një pastruese e cila nuk kishte leje pa afat për të punuar në Britani të Madhe.

Viti 2013, Poloni

Ministri i Transportit i Polonisë ka dhënë dorëheqje, pasi prokurorët kanë thënë se ai mund të ketë shkelur ligjin pasi nuk ka deklaruar në pronësi të vet edhe një ore dore, në vlerë prej 6 600 dollarëve.

Viti 2011, Gjermani

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, ka dhënë dorëheqje pas gjetjes se ka kopjuar pjesë të mëdha të doktoratës së tij universitare. /Periskopi

Shpërndaje në: