Mustafa i Sizmologjisë: Kosova zonë aktive e tërmeteve por s’jemi të rrezikuar sa vendet fqinje

Mustafa i Sizmologjisë: Kosova zonë aktive e tërmeteve por s’jemi të rrezikuar sa vendet fqinje

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës Shemsi Mustafa, ka dhënë detaje lidhur me tërmetin e mbrëmshëm që ka goditur Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mustafa tha për Klan Kosova.tv se Kosova është zonë aktive e tërmeteve, mirëpo nuk gjendet në listën e vendeve me zonë shumë aktive, siç janë Greqia, Italia, Shqipëria.

Ai tha se nuk duhet të injorohen tërmetet e fuqishme që ndodhin tek vendet fqinje pasi mund të shkaktojnë pasoja edhe tek ne.

“Kosova është më larg kësaj zone, sikurse është Greqia, Italia, Shqipëria, Austria, andaj është më pak e rrezikuar. Italia dhe Shqipëria p.sh janë goditur nga një shkallë të lartë të tërmetit dhe që ka pasur pasoja më të mëdha. Territori i Kosovës goditet brenda javës nga dy apo tri tërmete por që janë të intensitetit të vogël, apo varësisht prej aktivitetit sizmologjik mund të ketë edhe më shumë tërmete që regjistrohen. Vendi ynë është një vend me aktivitet të lartë sizmik, por nuk jemi të rrezikuar sa këto vende”.

“Greqia është e vendosur gjeografikisht në pllakën mbizotëruese të subduksionit të Afrikës që është në Euro-Aziatikën dhe qëndron në themel të Euro-Aziatikës përgjatë këtij kontakti dhe është një nga zonat më aktive sizmike në Mesdheu lindor”.

“E kuptoj shqetësimin sepse çdo tërmet që godet vendet e rajonit, do të lëkundë një territor me rreze rreth 300 deri në 400 km. Kosova i ka të rrezikuara disa zona. Sipas hartës së rrezikut sizmik e katalogut historik të tërmeteve”.

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës përmendi edhe tre zonat që janë goditur nga tërmetet me magnituda më të mëdha në periudha të ndryshme kohore.

Ai tregoi se pjesët që janë goditur janë pjesa veriore e Kosovës, pastaj zona nga Istogu në Prizren, ndërsa zonat më të rrezikuara nga goditjet e fuqishme të tërmetit janë zonat Ferizaj, Viti dhe Gjilan, ku shkalla e goditjes nga tërmeti kishte shkuar deri mbi 6 shkallë të rihterit.

“Kosova në të kaluarën është goditur në disa zona me tërmete shumë të fuqishme. Në vitin 1456 zona e Prizrenit me 6.0 shkallë. Në 1662-n zona e Pejës me 6.0 shkallë, ndërsa tërmet i studiuar mirë ka ndodhur në vitin 1921, në zonën Ferizaj-Gjilan-Viti, me 6.1 shkallë të Rihterit”.

Sipas raportimeve shkalla e tërmetit të mbrëmshëm ishte 5.8 shkallë e rihterit.

 

Shpërndaje në: