Mustafa: Nisma e Veselit do ta shpëtojë shtetin e të rinjtë, s’ka rëndësi nëse e kam pësuar edhe unë

Mustafa: Nisma e Veselit do ta shpëtojë shtetin e të rinjtë, s’ka rëndësi nëse e kam pësuar edhe unë

Ka vetëm dy muaj që Qemajl Mustafa është zgjedhur kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan. Por, ai është liruar nga kjo pozitë pas vendimit të sotëm të kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli, i cili largoi nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e partisë që kanë aktakuza të konfirmuara – raporton Periskopi.

Mustafa, në një deklaratë dhënë Periskopit e ka vlerësuar lartë këtë nismë të liderit të partisë, pavarësisht që ka pësuar edhe vetë nga ajo.

Ai ka thënë se asnjë shtëpi që nuk nis pastrimin e vetvetes dhe oborrit të vetë, nuk mund të dalë në fqinjësi.

“E kam përshëndetur dhe e kam pranuar me shumë zemërgjerësi sepse një shtëpi që nuk nis me pastrimin e vetvetes e oborrit të vetë, s’mund të dalë në fqinjësi. S’ka arsye me i thanë komshiut të vetë, pastroje edhe ti. Mendimi imi është dhe qëndroj pas kësaj. Ka bërë kryetari një akt jashtëzakonisht të mirë. Ne i  ndalim funksionet tona, ka kush punon sepse kemi me mijëra e mijëra aktivistë, na zëvendëson dikush, derisa të merret vendimi përfundimtar i gjykatave. Përndryshe nuk pastrohet Partia Demokratike e Kosovës, nuk pastrohet shoqëria kosovare”, ka thënë ai për Periskopin.

Ai e ka quajtur fisnik qëllimin e kryetarit, teksa ka shtuar se shpreson që ai do t’i qëndrojë besnik deri në fund kësaj nisme.

“Qëllimi është jashtëzakonisht fisnik, unë vetëm kisha dashtë që kryetari me i qëndru besnik këtij vendimi të sotëm dhe me i shku deri në fund…nuk e besoj që ndodh ndryshe, sepse kjo më pas do ta diskreditonte kryetarin politikisht dhe moralisht dhe rrugë tjetër kryetari nuk ka, sepse Kosovës nuk i ka mbetur rrugë tjetër. Edhe sot ai tha se nëse e kemi pasur rrugën e vetme, me i kap armët dhe me formu UÇK’në për çlirim, sot e kemi rrugën e vetme me shpall luftë krimit, korrupsionit dhe nepotizmit në këtë vend”, shtoi ai.

Tutje, një nismë e tillë thotë se është dashur të ndërmirret shumë kohë më parë.

“S’mundesh me mbajt njerëz në parti që janë pasuruar shpejtë, që janë të inkriminuar, që kanë punësuar me qindra njerëz përgjatë këtyre mandateve, e në të njëjtën kohë me kriju shtet ligjor”.

Sipas tij, hiç më mirë s’i kanë punët as partitë tjera politike.

“Asgjë më mirë s’i kanë punët as LDK’ja, Nisma, AAK’ja e AKR’ja, edhe këto parti duhet të veprojnë në mënyrën e njëjtë. Më vjen mirë që flamurin për këtë punë e ka marrë e para PDK’ja, e përgëzoj kryetarin. Nuk është me rëndësi a e pëson këtë far vendimi Qemajl Mustafa apo familja e tij, se jemi pak, një familje e një individ s’është kurrgjë, por le të shpëton shoqëria kosovare, sepse të rinjtë janë zhgënjyer dhe nuk po e duan më këtë vend”, vazhdoi ai.

Ai është i bindur se vendimi i gjykatës do ta shpall të pafajshëm atë, andaj thotë se garoi edhe për kryetar të degës së PDK’së në Gjilan.

“Kam garuar sepse edhe juridikisht edhe unë personalisht e di që jam i pastër dhe i pafajshëm, andaj. Dhe në fund të fundit, edhe Kushtetuta e thotë se deri në vendim të gjykatës, secili është i pafajshëm…unë jam në pozitë koxha të lartë, edhe anëtar i Këshillit edhe kryetar i degës…nëse vjen një vendim i pafajësisë, unë kthehem në postet e mia”, përfundoi ai./PERISKOPI

Shpërndaje në: