Mustafa për kërcënimin që iu bë Kurtit: Ma kujtoi kohën kur njerëzit e tij e sulmuan shtëpinë time me bomba molotovi

Mustafa për kërcënimin që iu bë Kurtit: Ma kujtoi kohën kur njerëzit e tij e sulmuan shtëpinë time me bomba molotovi

Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas ngjarjeve të djeshme ku u raportua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u kërcënua, ndërsa shtëpinë e tij e rrethuan menjëherë njësia speciale.

Mustafa përmes një postimi në Facebook tha se i erdhi keq për këtë kërcënim që i është bërë kryeministrit, ndërsa kujtoi kohën kur njerëzit e Kurtit në vitin 2016 sulmuan shtëpinë e tij me bomba molotov, në kohën sa ishte kryeministër i Kosovës.

“Miq të nderuar, mbrëmë u njoftuam se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka rrethuar shtëpinë e Kryeministrit Kurti, pas një kërcënimi që i ishte bërë. Më erdhi keq! Më vonë u tha se ishte një kërcënim nga adresa Shit e Blej!

Kjo ma kujtoi kohën kur, jo adresa shit e blej, por njerëzit e Albin Kurtit, Kryeministrit të tanishëm, në terrin e datës 26 shkurt 2016 sulmuan shtëpinë time, që isha Kryeministër i Kosovës, me bomba molotov”, tha Mustafa.

Ai thotë se në kohën kur ndodhi kjo nuk kishte as njësi speciale e as mbrojtje speciale, por fati deshti që gruaja e tij të shpëtojë.

“Kur arrita në shtëpi e pyeta shoqen time se si u ndjeve, a pate frikë, a të mbrojti policia. Ajo ma ktheu: po çfarë!! Policët mezi e shpëtuan kryet e tyre, sepse e kapi flaka dhe tymi korridorin ku ata ishin të vendosur. Nuk kishte njësi speciale as mbrojtje speciale.  Fati gruaja mbeti gjallë dhe policët që kujdeseshin për shtëpinë time nuk ishin lënduar. Kujtime të rënda!”.

Dje u raportua se kryeministri Kurti është kërcënuar, ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i njësisë speciale, ku forca të shtuara rrethuan shtëpinë e tij.

Forcat e sigurisë qëndruan aty për disa orë.

Shpërndaje në: